Gola: Kërkesa prej 100 eurosh po e minon dialogun social

Gola: Kërkesa prej 100 eurosh po e minon dialogun social

Aktuale September 15, 2022 - 21:17

Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është ndoshta shumë lehtë t’ia atribuosh dikujt fajin, por në fakt është problem të atribuosh fajin tek një palë. Sipas tij situata aktuale është më shumë problem i një kulture të trashëguar të dialogut social.

“Në të kaluarën vetëm dialog nuk mund të themi se kemi pasur, për shkak se në organizimet sindikale në të shumtën e rasteve kanë ardhur në shprehje kërkesat ad-hoc dhe në të njëjtën kohë përmbushja e atyre kërkesave nga pushtetet e kaluara ka qenë një përmbushje ad-hoc dhe pa plan e pa mbështetje ligjore. Tash si duket është trashëguar ajo mënyrë e kërkesave sindikale dhe normalisht se pushteti aktual si një e majtë progresiste dëshiron ta ndryshojë kursin, ta transformojë edhe kulturën e dialogut, me ç’rast kërkesat sindikale duhet të gjejnë mbështetje sa ligjore edhe racionale”, ka theksuar Gola, raporton RTKlive.

Ai tutje ka thënë se Qeveria në vazhdimësi ka dialoguar me sindikalistët, por e ka pranuar se pas hyrjes së mësimdhënësve në grevë intensiteti i dialogut ka rënë. Gola e ka quajtur kërkesën e sindikalistëve prej 100 eurosh jo legjitime, e cila po e minon procesin e dialogut.

“Nuk është kërkesë legjitime që të kërkosh 100 euro. Kërkesë legjitime është të thuash kemi një inflacion dhe kërkojmë nga Qeveria si kategori e caktuar buxhetore të na mbështetni. Por të thuash ja 100 euro ja greva vazhdon, mendoj se është një kërkesë sa arbitrare aq edhe absolutiste, e që e minon vetë procesin e komunikimit dhe dialogun social”, ka shtuar Gola.