Mehaj: Kontingjenti i FSK-së përfundoi me sukses stërvitjen “Saber Junction 2022” në Gjermani

Mehaj: Kontingjenti i FSK-së përfundoi me sukses stërvitjen “Saber Junction 2022” në Gjermani

Aktuale September 21, 2022 - 22:21

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka përfunduar me sukses pjesëmarrjen në stërvitjen e njohur shumëkombëshe “Saber Junction 2022” i mbajtur në Zonën e stërvitjeve ushtarake të forcave amerikane Hohenfels në Gjermani.

Armend Mehaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kontingjenti i FSK-së, së bashku me 4400 trupa ushtarake të forcave amerikane si dhe aleatëve dhe partnerëve të saj, me sukses kanë ekzekutuar operacione sulmuese dhe mbrojtëse gjatë stërvitjes shumëkombëshe së përvitshme “Saber Junction 2022”, raporton Zeri.info.

“Në Qendrën e Përbashkët Shumëkombëshe të Gatishmërisë të Komandës së Trajnimit të Ushtrisë së 7-të të Forcave Amerikane, si pjesë e planeve të stërvitjes së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, kjo stërvitje mbahet për të vlerësuar gatishmërinë e njësive me bazë evropiane, si Brigada e 173-të Ajrore ‘Sky Soldiers’, për të ekzekutuar, të unifikuar operacionet tokësore në një mjedis të përbashkët, të kombinuar me vendet aleate dhe partnere pjesëmarrëse”, ka shkruar Mehaj.

Sipas tij, komanda e 7-të e Stërvitjes së Ushtrisë Amerikane dhe qendra e saj e trajnimit luftarak, Qendra e Përbashkët Shumëkombëshe e Gatishmërisë, janë të pozicionuara në mënyrë unike në Evropë për të pritur në mënyrë rutinore këto lloje të stërvitjeve shumëkombëshe gjatë gjithë vitit për të ndërtuar gatishmërinë e ushtrive dhe kombeve partnere”.

“Stërvitja ‘Saber Junction’2022’ promovon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, forcon aftësitë e partnerëve, mundëson SHBA-së të vendosë pajisjet më moderne për të gjitha misionet dhe ndërton ndërveprim dhe bashkëpunim midis aleatëve dhe partnerëve të NATO-s”, ka shkruar Mehaj. /Zëri 

Image

Image

Image