FBI-CISA raport për sulmet kibernetike: Hakerët qe 14 muaj në rrjetin e qeverisë

FBI-CISA raport për sulmet kibernetike: Hakerët qe 14 muaj në rrjetin e qeverisë

Aktuale September 22, 2022 - 09:41

FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë publikuar një raport të përbashkët për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.

Në raport thuhet se qeveria iraniane, e identifikuar me "Homeland Justice" nisi sulmin në korrik të 2022 kundër portaleve qeveritare shqiptare duke bllokuar përkohësisht shërbimet online.

“Një hetim i FBI-së tregon se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë patën akses fillestar në rrjet afërsisht 14 muaj përpara se të nisnin sulmin shkatërrues kibernetik, i cili përfshinte një kodues skedari të stilit ransomware dhe një malware për fshirjen e diskut”, thuhet në raport.

“Në qershor 2022, HomeLand Justice krijoi një faqe interneti dhe profile të shumta të mediave sociale që postonin mesazhe antiMEK. Më 18 korrik 2022, Homeland Justice pretendoi meritën për sulmin kibernetik ndaj infrastrukturës së qeverisë shqiptare. Më 23 korrik 2022, ‘Homeland Justice’ postuan video të sulmit kibernetik në faqen e tyre të internetit. Në shtator 2022, aktorët kibernetikë iranianë nisën një valë tjetër sulmesh kibernetike kundër Qeverisë së Shqipërisë, duke përdorur TTP dhe malware të ngjashëm si sulmet kibernetike në korrik. Ato pasuan veprimet e Shqipërisë që i lidhi publikisht sulmet kibernetike të korrikut me Iranin”, thuhet në raport.