Miftaraj: Mosekzekutimi i pagave është persekutim ndaj grevistëve

Miftaraj: Mosekzekutimi i pagave është persekutim ndaj grevistëve

Aktuale October 03, 2022 - 14:57

Njohësi i çështjeve juridike dhe drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi Qeveria ka paralajmëruar se nuk do të ketë paga për muajin shtator për grevistët.

Miftaraj ka thënë se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin, ndërsa e quajti këtë edhe si “persekutim ndaj grevistëve”.

“Me fjalë tjera, nga një pagë qe mund të jetë 480 euro për një muaj, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund faturën e paguan taksapaguesi. P.S. Leximi i ligjit dhe interpretimi i ligjit dallon”, shkroi Miftaraj.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar për “Zërin” se pagat kanë dalë vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë.

“Për muajin shtator pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për greva”, tha Kryeziu. /Zëri