Sindikata e Administratës: Veprim i rrezikshëm i Qeverisë ndalja e pagave për mësimdhënësit grevistë

Sindikata e Administratës: Veprim i rrezikshëm i Qeverisë ndalja e pagave për mësimdhënësit grevistë

Aktuale October 04, 2022 - 12:06

Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës – SPAK është shprehur e shqetësuar lidhur me mosprocedimin e pagave për të punësuarit në arsim nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe këtë veprim e konsiderojnë tepër të rrezikshëm e tendencë për frikësim, shantazh dhe diskriminim të drejtpërdrejtë në raport me të punësuarit e tjerë.

“Ndalja e pagës është shkelje ligjore tani me e thënë nga të gjithë, por s’mjafton kjo e fatkeqësisht shkelëse e ligjit bëhet vetë Qeveria, e cila në rrethana normale do të duhej të jetë zbatuese e drejtë dhe transparente e ligjeve, por siç shihet kjo qeveri ka për mision shkatërrimin e sindikatave dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me demokracinë dhe të menduarit ndryshe, kjo tendencë është e rrezikshme dhe duhet distancuar nga kjo formë e të menduarit dhe vepruarit nga kjo qeveri”, thuhet në reagimin e SPAK-ut.

Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i procedojë pagat e sektorit të arsimit dhe njëkohësisht kërkon që urgjentisht të ulet me sindikatat që t’i diskutojë kërkesat, të cilat janë po aq të drejta, por edhe ligjore.

“Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës qëndron fuqishëm përkrah SBASHK-ut dhe i siguron që ashtu siç ishim bashkë përgjatë rrugëtimit tonë 35-ditor, prapë do të jemi deri në realizimin e kërkesave tona të drejta e legjitime”, thuhet në reagim. /Zëri