Murati në Durrës, s’shkon në Komision - deputetët kërkojnë llogari për pagat e mësimdhënësve
Foto: Laura Hasani

Murati në Durrës, s’shkon në Komision - deputetët kërkojnë llogari për pagat e mësimdhënësve

Aktuale October 04, 2022 - 12:38

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në rend dite kishte shqyrtimin e raportit të Auditorit të Përgjithshëm për raportin vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. Të ftuar ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe auditorja e përgjithshme e ZKA-së, Vlora Spanca.

Mirëpo ministri për shkak të një vizite në Durrës nuk ka qenë i pranishëm në Komision.

Kryetarja Hykmete Bajrami tha se nuk kanë marrë konfirmim nga kabineti për mungesën e Muratit, duke shtuar se raporti s’mund të shqyrtohet pa prezencën e tij.

“Prezencën qe 10 ditë e ka konfirmuar. Na nuk kemi pasur njoftim prej kabinetit. Nuk kemi mundësi me shqyrtuar raportin e auditimit pa prezencë të ministrit të Financave. Ka afate ligjore që ky raport mu aprovuar edhe në seancë plenare.

Ne e shtyjmë edhe javën tjetër, por ka shumë gjëra për të diskutuar. Ministrit nuk i ka konvenuar të vijë sot dhe i njëjti raport shqyrtohet në Komisionin për Buxhet dhe nuk është e pranueshme, e shtyjmë javën tjetër”.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e ka quajtur Muratin ministër të papërgjegjshëm, që nuk i ka ekzekutuar pagat e mësimdhënësve.

Ai ka shtuar se raporti ka shumë mangësi, por edhe elemente që mund të dërgohen në Prokurori.

“Është një praktikë dhe e pakuptimtë që të shqyrtohet pa ministrin raporti vjetor. Mosprezencën e tij e shoh si sjellje joserioze dhe propozojmë të shkojë në Kuvend për seancë plenare.

Ka elemente edhe për Prokurori. Një ministër që ndal pagat e mësimdhënësve. Ky ministër është i papërgjegjshëm”.

Deputetja e LVV-së, Arta Baraliu, ka kërkuar që të mos bëhet politikë me çështje të tjera që nuk lidhen me temën që ishte në rend dite.

“Nuk është e nevojshëm te bëjmë politikë me çështje të tjera”.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, u ka kërkuar kolegëve të pozitës që të mos bëhen avokatë të ministrit, duke shtuar se është e papranishme që ai të shkojë në Durrës e të mos marrë pjesë në mbledhje, raporton EO-ja.

“Mendoj që duhet të shtyhet raporti, sepse është e rëndësishme me qenë ministri prezent dhe sot ka gjetur kohën me shkuar në Durrës, është e papranueshme dhe s’keni nevojë të bëheni avokatë”.