Veliu për pagat e mësimdhënësve: Qeveria i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje

Veliu për pagat e mësimdhënësve: Qeveria i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje

Aktuale October 04, 2022 - 12:52

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar pasi Qeveria ka thënë se nuk do të ketë paga për muajin shtator për mësimdhënësit grevistë.

Veliu ka thënë se po vërtetohet që kryeministri Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmangën dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim, me qëllim që t'i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.

Më tej, Veliu ka shkruar në Facebook se si pasojë e këtij ndëshkimi, Qeveria i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Veliut:

"Qeveria e shpresës" çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.

Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit.

Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmangën dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim, me qëllim që t'i tregojnë "muskujt" karshi mësimdhënësve.

Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.

Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.

Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.

Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit, që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë.