Qytetari që i vetëm po tenton të organizojë protestë gjithëpopullore në mbrojtje të figurave të UÇK-së

Qytetari që i vetëm po tenton të organizojë protestë gjithëpopullore në mbrojtje të figurave të UÇK-së

Aktuale October 05, 2022 - 14:56

Arlind Imeri është qytetari i cili ka marrë iniciativë për protestë në mbrojtje të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai planifikon që protestën gjithëpopullore ta zhvillojë më 10 tetor, para Qeverisë së Kosovës, duke filluar në orën 11:00.

Imeri ka treguar për “Zeri.info” se protestën e ka thirrur si formë reagimi ndaj videos së fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i ka paraqitur ditë më parë disa nga liderët e UÇK-së, që janë në paraburgim në Hagë, si “shkatërrues të shtetit”.

“Protesta është organizuar si një formë reagimi ndaj një videoje propagandistike të Lëvizjes Vetëvendosje, ku fyhen figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, e sidomos ata të cilët gjinden në Gjykatën Speciale”, tha Imeri për “Zërin”.

Ai konsideron se videoja e publikuar është fyerje edhe për familjet e krerëve të UÇK-së dhe për një pjesë, siç thotë ai, “goxha të madhe të qytetarëve të Kosovës”.

Image
Arlind Imeri, organizatori i protestës

“Një video e tillë fashiste e propagandistike nuk ka asnjë kuptim tjetër, veçse kjo Qeveri po tenton ta mbajë pushtetin duke e mbajtur situatën e tensionuar ne Kosovë. Kjo është fyerje e rendë që u bëhet ish-presidentit Thaçi, ish-kryeparlamentarit Veseli, z. Sami Lushtakut, ish-kryeministrit Haradinaj, edhe z. Fatmir Limajt, por edhe të tjerëve”, thotë Imeri

Ai tha se ditët në vazhdim do të kërkojë mbështetje për protestën edhe nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, por edhe nga subjektet politike, që sipas tij ndihen të fyera nga qasja e kësaj qeverie kundrejt krerëve të UÇK-së.

“Për momentin është herët të flitet për pjesëmarrjen. Uroj te këtë sa më shumë. Në ditët në vazhdim do të intensifikoj aktivitetin për të rritur sa më shumë pjesëmarrjen”, tha Imeri për “Zërin”.

Image