Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: S’po dërgohen në vendbanime shqiptare

Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: S’po dërgohen në vendbanime shqiptare

Aktuale October 06, 2022 - 14:59

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare, të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaron për KosovaPress, se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në.

Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje.

Një gjë të tillë e thonë edhe dy nga regjistruesit shqiptarë, me të cilët ka kontaktuar KosovaPress. Këta të fundit nuk kanë dashur të identifikohen, por janë emra të njohur për redaksinë. Ata kanë bërë të ditur se prej ditës kur ka nisur regjistrimi, ata janë dërguar në fshatra të cilët janë të banuar nga serbët.

Deputeti Shaip Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

“Tre (regjistrues) janë për Medvegjë që kanë kaluar testet që janë kryer. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi bërë alarmimin me OSBE-në dhe me ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, njofton Kamberi.

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë vlerëson se ky proces ka rëndësi të veçantë në proceset e dekadëshit të ardhshëm. Ai flet edhe për pasivizimin e adresave, për çka shton se shqiptarëve nuk mund t’ju merret shtetësia.

“Të gjithë ata që janë pasivizuar, qëndrimi është që të regjistrohen si banorë, sepse atyre nuk mund t’ju merret shtetësia sipas ligjit. Prandaj, si shtetas të Serbisë ata kanë të drejtë të regjistrohen. Ndërkohë, sa i përket adresave të reja si individ duhet të paraqes kërkesë për t’i dhënë adresë të re në vendin ku ai lajmërohet. Është një procedurë krejtësisht tjetër ajo, e cila duhet sigurisht që të niset menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, shton Kamberi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, për faktin se Enti Statistikor Republikan nuk ka respektuar kërkesat tona për regjistrim të diasporës, regjistrim të banorëve të zhvendosur dhe për faktin se nuk kemi pasur mjaftueshëm regjistrues shqiptarë. Sikurse në dokumentacione nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Kësaj here me ndërmjetësimin e OSBE-së, të gjitha këto janë arritur dhe procesi ka filluar, ashtu siç ishte planifikuar me 1 tetor”, vijon ai.

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi pret që nga ky regjistrim që do të përfundojë gjatë këtij muaji, shqiptarëve t’u kthehen të drejtat.

“E para ka të bëjë me nivelin e integrimit që ne kërkojmë nga organet shtetërore, nga statistikat që do të tregojnë se sa është numri i shqiptarëve në këtë rajon. Kërkesa jonë do të duhet të jetë në nivel të atillë që të ri inkuadrohemi dhe të participojmë në punën e organeve shtetërore të cilat funksionojnë në komunat tona. Ka funksion dhe rol edhe në financimin e projekteve kapitale që vijnë nga qyteti dhe vijnë nga shteti për komunat tona dhe financimin e rregullt mujor që i bëhet komunave nga niveli shtetëror. Po ashtu edhe financimin që i bëhet Këshillit Nacional. Numrin e mjekëve që do të ketë ‘Shtëpia e Shëndetit’, numrin e ambulanteve që duhet të ekzistojnë në vendbanimet e caktuara, pavarësisht nga numri i popullsisë. Dhe ajo që është e rëndësishme për Preshevën është se nga numri i banorëve që do të dalë se ka kjo komunë do të varet legjitimiteti për kthimin e Gjykatës Themelorë në Preshevë, e cila në vitin 2013 është shuar”, deklaron ai për KosovaPress.

Për këtë flet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi i cili thotë se ky proces është përgjigje ndaj diskriminimit e pasivizimit të adresave.

Ai shton se janë ofruar kushtet optimale për regjistrim të popullsisë, proces ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet e monitorohet nga EUROSTAT.

“Fletë-regjistrimet janë në gjuhën shqipe, të cilat i ka asistuar Këshilli Kombëtar Shqiptar. Instruktorët për regjistruesit janë edhe nga komuniteti shqiptar. Regjistrues janë edhe nga komuniteti shqiptar e madje edhe në disa vendbanime të përziera është lejuar edhe mundësia për asistent gjuhësor… Në këtë proces të regjistrimit të popullsisë nuk nevojitet asgjë tjetër përveç emrit, mbiemrit dhe një numri personal, me ç’rast regjistruesi e ka për detyrë tri herë të shkojë në shtëpinë e tij dhe në rast se nuk e gjen në shtëpinë e tij do të duhej të lënë një kontakt-numër dhe regjistrimin mund ta kumtojë një familjar për gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, shprehet ai.

Në Preshevë e Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, por jo edhe në Medvegjë.

“Ne kemi 83 regjistrues diku 86 regjistrues në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe kemi 24 regjistrues në Medvegjë, tre nga të cilët janë shqiptar”, shton Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

“56 mijë banorë shqiptarë kanë qenë në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të vitit 2002, rezident. Dhe rreth 30 mijë kanë qenë, jo rezident që do të thotë se pjesa që jetojnë në diasporë. Ne synojmë që të ruajmë së paku këtë minim dhe të arrijmë të kemi 56 mijë, 57 mijë, rreth 60 mijë banorë rezident në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që është shumë e qartë se diaspora jonë është rritur në ndërkohë. Sepse, kemi njerëz që janë larguar dhe migrimi ka bërë të vetën. Procesi i largimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrave e Medvegjës që është përfunduar në vitet ’99-2000 edhe që po tentohet përmes pasivizimit të adresave të legalizohet me spastrim etnik të kryer, ka qenë një ndër arsyet që ne nuk kemi pranuar të marrim pjesë në regjistrimin e vitit 2011”, ka përfunduar deputeti Shaip Kamberi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi që ka nisur ditën e shtunë, bëhet edhe regjistrimi i pronave.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive shqiptare në Kosovës kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, si përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve dhe pasivizimit të adresave.