Ditëlindja e Adem Jasharit e bën edhe më të pasur 28 Nëntorin

Ditëlindja e Adem Jasharit e bën edhe më të pasur 28 Nëntorin

Aktuale November 28, 2022 - 20:14

Kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare të Kosovës për pavarësim nga regjimi i Serbisë, janë disa emra që me automatizëm vijnë në mendje, e njëri prej tyre është legjendari Adem Jashari.

I lindur më 28 Nëntor të vitit 1955 – pikërisht 43 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – në një familje tradicionalisht patriotike, shumë herët e nisi aktivitetin e tij për çlirim nga okupatori serb, shkruan Klan Kosova.

Image
Adem Jashari në moshë të re

Në një periudhë të vështirë për shqiptarët kur Sllobodan Millosheviqi [që më vonë do të njihej si Kasapi i Ballkanit] veçse kishte nisur ta drejtojë “tehun” drejt Kosovës, Adem Jashari nuk mundi të qëndrojë pa bërë asgjë ndaj kësaj tiranie.

Dy vjet pasi Millosheviqi u vesh me petkun e pushtetit, Jashari u zhvendos në Shqipëri, ku nisi trajnimet ushtarake bashkë me vullnetarët e parë, që më vonë kulmoi me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Image
Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Pasi kishte kryer disa sulme ndaj regjimit serb, familja e tij me vendbanim në Prekaz ishte rrethuar disa herë nga forcat serbe të cilat kishin kërkuar dorëzimin e tij. Mirëpo këto aksione kishin rezultuar pa sukses pasi që Ademi së bashku me shokët e tij kishin arritur që ta thyejnë rrethimin.

Në mars të vitit 1998, kur edhe kishte filluar lufta e gjerë e shqiptarëve të Kosovës nën organizimin e UÇK-së për t’u çliruar nga Serbia, familja Jashari u sulmua sërish, por kësaj radhe me artileri të rëndë dhe me një fabrikë municioni në afërsi.

Image
Shtëpitë e Jasharëve para se të sulmoheshin nga forcat serbe

Lagjen ku banonte familja e Adem Jasharit në Prekaz e kishin rrethuar afro tetëmijë trupa të forcave serbe dhe kur nisën sulmet ndaj familjes heroike, ato përfunduan vetëm pas tre ditësh pasi që dorëzimi nuk përbënte opsion për Jasharët.

Pas 52-orësh luftime, Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16-vjeçare. Kësaj tragjedie i mbijetoi vetëm Besarta Jashari (11-vjeçare) për të treguar historinë e familjes legjendare.

Image
Besarta Jashari ishte 11-vjeçe kur i mbijetoi tragjedisë

Flijimi i Adem Jasharit me familjarë u bë inspirim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë që ta zhvillojë edhe më fuqishëm luftën drejt lirisë.

Si rezultat i diplomacisë kosovare, shpërnguljeve masive dhe pamjeve të masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës të kryera nga forcat serbe e cila kulmoi me atë të Reçakut, komuniteti ndërkombëtar si asnjëherë më parë i bashkoi forcat dhe nisi fushatën bombarduese ndaj Serbisë.

Pas 78 ditësh bombardime nga NATO-ja, Serbia e pranoi kapitullimin dhe si rezultat i tërhoqi të gjitha forcat e saj nga territori i Kosovës.

Image
Sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999

Nëntë vjet pas hyrjes së forcave të NATO-s, Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, e cila tashmë njihet nga më shumë se 100 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë e shumë vende të tjera demokratike.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shumë qytetarë vishën bluza me fotografinë e legjendarit Adem Jashari dhe me mbishkrimin “Bac u kry”.

Image
Bluzë me portretin e Adem Jasharit dhe me mbishkrimin “Bac, u kry”

Me jetën dhe veprat e tij, Adem Jashari së bashku me familje hyjnë në historinë e re të Kosovës si një prej legjendave më të rralla bashkëkohore për të mos vdekur kurrë.

Edhe sot kur po festohet 28 Nëntori – 23 vjet pas luftës në Kosovë – nuk mund të harrohet legjenda Adem Jashari. Qytetarë e shtetarë të shumtë shkuan te memoriali “Adem Jashari” për të vendosur lule dhe për të bërë homazhe në Prekaz.