Haradinaj pas takimit me Cholletin: Shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë

Haradinaj pas takimit me Cholletin: Shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë

Aktuale January 11, 2023 - 18:42

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ka paraqitur nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë.

Gjatë ditës, Këshilltari i lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka zhvilluar takime me liderët e shtetit e njëherit, edhe ata të Opozitës. Lidhur me këtë, kryetari i AAK-së ka thënë se përpos njohjes së ndërsjelltë në mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes finale e njëherit, urgjente, ka paraqitur edhe kërkesa të tjera.

“Në një takim përmbajtësor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Përpos kësaj, i njëjti ka falenderuar përfaqësusit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në shtetndërtimin e Kosovës dhe rrugën e deritanishme të saj.

Haradinaj ka vlerësuar se pa praninë e SHBA-ve, vështirë se do të mund të arrihej një marrëveshje përfundimtare.