Kurti viziton zonat e përmbytura: Qeveria dhe institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve

Kurti viziton zonat e përmbytura: Qeveria dhe institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve

Aktuale January 20, 2023 - 10:49

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot rreth 20 pjesëtarë të FSK-së, të cilët me kamionë ushtarakë dhe barka lundruese po u dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog.

Kurti ka shkuar edhe te “Ura në Drejë”, e cila është vërshuar nga reshjet, ku edhe ka takuar kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati.

“Aty te ‘Ura në Drejë’, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati, i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku vizituam dy familje të evokuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël”, shkroi Kurti.

Kreu i Qeverisë tha se përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, nuk ka qytetarë të vdekur e as të lënduar.

Ai përmendi që edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva, kanë pësuar dëme, duke u zotuar se Qeveria do të jetë afër komunave ku pati vërshime, transmeton Zeri.info.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime, duke i ndihmuar e mbështetur ata.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, shkroi Kurti. /Zëri