Lajçak: Pritëm më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së
Foto: Laura Hasani

Lajçak: Pritëm më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së

Aktuale January 20, 2023 - 12:42

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para mediave tha se delegacioni ka pritur mirëkuptim më të madh rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që ky propozim i ofron. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçaku.

Lajçaku tha se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin siç tha ai, i kishin prezantuar Kurtit në shtator, si dhe më vonë në muajin dhjetor [të vitit të kaluar].

Lajçaku tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuar për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, këtë sipas tij e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.

Paraditen e së premtes, në Qeverinë e Kosovës kanë mbajtur një takim me kryeministrin Albin Kurti i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Emisarët ndërkombëtarë po qëndrojnë në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ata, gjatë ditës, pritet të vizitojnë edhe Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Image