Davosi dhe shqiptarët

Davosi dhe shqiptarët

Aktuale January 28, 2023 - 23:29

Një raportim special nga qyteza zvicerane, e njohur për samitin ku mblidhen të pushtetshmit e botës, por edhe një vend ku bashkëkombësit tanë kanë histori për të treguar.

Davos, një qytet-resort alpin në Zvicër në lartësinë e 1560 metrave mbi nivelin e detit, më i larti në Europë, që mbledh prej mbi pesë dekadash liderët e shteteve dhe kompanive më të fuqishme nga e gjithë bota. Takimi i këtij viti, pas një periudhe pandemie që ngjau si një përjetësi, tërhoqi edhe më shumë vëmendje nga elitat.

Edhe pse nga G8, grupi i ekonomive më të pasura, do të ishte vetëm Gjermania dhe nga njerëzit më të pasur do të ishte vetëm indiani Gautam Adani, i treti në listën e miliarderëve, theksi i Forumit Ekonomik Botëror nuk u zbeh aspak, teksa 2700 pjesëmarrës të profilit të lartë konfirmuan pjesëmarrjen. Në fakt bileta e anëtarësisë për një përfaqësues kompanie shkon deri në 120 mijë dollarë, një kosto e arsyeshme për të qëndruar me 0.01% e botës.

Por krerët e shteteve mund ta përfitojnë këtë eksperiencë pa pagesë, ndaj sigurisht që interesi nga Ballkani ishte shumë i madh, me Ramën, Kurtin, Vuçiç, Abazoviç, Pendarovksi dhe Borjana Kriston, tashmë në avion rrugës për në Zvicër.Natyrshëm, ne të A2 CNN, nuk mund të humbisnim rastin për të mbuluar të gjitha takimet, konferencat e planifikuara dhe zhvillimet nga Forumi. Dhe për të parë se sa pranë është Shqipëria me këtë botë të pasurish, vendosëm të shkojmë nga Tirana, me avionin e parë, që në fakt kalonte përmes Stambollit.

Pas ribashkimit me valixhet, ishte koha për të marrë trenin, drejt, jo Davosit, por Churit, sepse të gjithë hotelet në një rreze prej 30 kilometrash ishin prenotuar. Davosi në fakt pret në 5 ditë, po aq turistë sa në të gjithë 360 ditët e tjera të vitit. Një fat të keq me akomodimin e kishte edhe Vuçiç, i detyruar të qëndrojë jo vetëm larg, madje në një hotel me flamurin e Shqipërisë së Madhe.

Në tren takojmë Rafet Salihun, një shqiptar që punon në vagonin restorant, i cili na dalloi që përpara se të flisnim edhe një fjalë shqip. Rafetin pranon ta pyesim më shumë për Zvicrën dhe përvojën e pikëpamjet e tij. “Vij nga Gjilani”, thotë ai. “Jam i kënaqur nga jetesa. Jam martuar këtu, gruaja ka qenë para meje. Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë”. E pyesim nëse Shqipëria mund të bëhet dot si Zvicra? “Mund të bëhet Zvicër me det”, thotë ai. Teksa Rafeti iu kthye punës së tij, treni mbërriti në Chur, ku do të qëndrojmë një natë.Rafet Salihu, një shqiptar që punon në vagonin restorant të trenit për në Davos

Me të mbërritur në Davos, gjëja e parë që na bëri përshtypje, krahas temperaturës -9 gradë celsius, ishin masat e rrepta të sigurisë. Natyrshëm duke konsideruar se krerët e botës po diskutonin për Luftën në Ukrainë, klimën, taksat dhe utopinë teknologjike që na pret.

Në ditët që i paraprinë Forumit, një raport i përgatitur enkas vlerësonte sigurinë kibernetike, si një nga rreziqet më të mëdha që i kanosen Shqipërisë. Dhe kryeministri Rama do të fliste në dy panele të ndryshme për eksperiencën e hidhur të vendit me sulmet nga Irani. Sipas kryeministrit ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde.

Dhe në takimet gjatë ditëve të Forumit, Shqipëria lidhi një marrëveshje bashkëpunimi me Izraelin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike.

Agjendën e mbledhjeve për liderët e Ballkanit e dominoi dialogu Kosovë-Serbi, me foton tashmë historike të presidentit serb që rrinte i mënjanuar në radhë të dytë. Megjithatë, liderët e rajonit zhvilluan takime premtuese me shumë investitorë potencialë nga i gjithë globi. Më i suksesshmi në këtë drejtim në dukje ishte kryeministri malazez Dritan Abazovic, në biseda për bashkëpunim në fushën e gazifikimit, infrastrukturës aeroportuale, arsimit, shërbimeve digjitale, e deri tek krijimi i një kriptovalute zyrtare për Malin e Zi.

E ndërsa liderët zhvillonin takime të profilit të lartë, me ide të qarta, ne vendosëm të pyesim disa nga delegatët e kompanive më të fuqishme në botë, se si mund të ndihmohej Shqipëria.

Në rrugët e Davosit, njerëzit janë të lumtur, dhe duket se paraja e blen lumturinë në fund të fundit. Por çuditërisht janë shumë të interesuar për ushqimet dhe pijet që shpërndajnë falas kompani të ndryshme. Para që duhet t’i kursejnë ku të munden, duke konsideruar se prostitutat tarifonin 2500 dollarë nata prej kërkesës së lartë.

Zgjedhim që këta individë nga bota e financës së lartë, t’i pyesim se sa e njohin Shqipërinë dhe çfarë mund të bëjmë për të zhvilluar ekonominë tonë.

-Hera e parë në Davos?

-Hera e tretë. Po vij nga Nju-Jorku.

-Pse keni interes të jeni këtu?

-Është konferenca më me ndikim që ekziston. Ka investitorë potencialë, klientë potencialë, partnerë të mundshëm nga gjithë bota. Ndaj s’ka vend më të mirë se ky.

-Mendoni se Shqipëria është tërheqëse për këta investitorë?

-Unë nuk di shumë për Shqipërinë, por nëse ka mundësi investimi të mira, nëse e keni informacionin dhe të dhënat, do të vinin me kënaqësi në Shqipëri.

-Ju besoj synoni fitimin në radhë të parë?

-Jo, nuk është e vërtetë. Jo vetëm fitimi. Sot flasim për impakt. Impakt social, qëndrueshmëri, të gjithë këta faktorë janë të rëndësishëm. Sot është gjithmonë e më shumë për impakt, njerëzit s’duan më vetëm fitime.

Ndërsa krejt të kundërtën na thanë këta gazetarë britanikë, që nuk kishin aspak mendim pozitiv për Forumin.