Krasniqi të rinjve të PDK-së: Ju e ndryshoni kahjen politike të vendit

Krasniqi të rinjve të PDK-së: Ju e ndryshoni kahjen politike të vendit

Aktuale January 29, 2023 - 15:13

Partia Demokratike e Kosovës është parti që guxon të ëndërrojë për të mirën e vendit. Kështu është shprehur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në konventën e 7-të zgjedhore të rinisë demokratike ku theksoi se asgjë e rëndësishme në historinë e re të vendit tonë nuk ka ndodhur pa ndikimin dhe vulën e PDK-së.

“Ajo që na dallon neve sot këtu dhe gjeneratat e reja duke filluar nga themeluesit e PDK-së është guximi. Guximi për të ëndërruar dhe për të parë ëndrra të mëdha për Kosovën dhe për të punuar për realizimin e këtyre ëndrrave. Edhe pa ekzistuar PDK-ja themeluesit e saj Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët fizikisht i kemi në distancë por emocionalisht i kemi pranë gjithmonë në kohën kur ka qenë vështirë që të besohet, ata e kanë ëndërruar lirinë tonë dhe bashkë me shumë shokë e shoqe deri kur e kanë marrë mbështetjen e vendit dhe botës e kanë çliruar vendin tonë. Ne nuk i kemi ndal ëndrrat edhe pas lirisë. Ne kemi guxuar të ëndërrojmë për një shtet të pavarur, dhe atë e kemi realizuar në vitin 2008 kur është shpallë Pavarësia e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai para të rinjve anëtarë të PDK-së ka shprehur mbështetje për rrugëtimin e tyre politik. U ka bërë thirrje të rinjve që të kontribuojnë brenda vendit duke kujtuar se në vitet e fundit ka pasur një numër të madh të të rinjve që janë larguar jashtë vendit.

“Në dy vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të një migrimi masiv të të rinjve tanë jashtë vendit dhe kjo është fatkeqësi.  Nëse është një aset i madh që Kosova e ka një përparësi me të gjitha shtetet e rajonit është pikërisht rinia e cila përbën pjesën më të madhe të popullsisë por avantazhet e pashfrytëzuara brenda një periudhe të shkurtër mund të kthehen në disavantazhe të papërmirësueshme. Prandaj unë ju them se ky është momenti juaj dhe është momenti i Kosovës”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se Kosova po kalon në ditë të vështira, por u tha të rinjve se duke i parë ata e dinë që nuk ka asgjë që i ndalë për t’i kthyer gjërat për së mbari.

“Ju jeni ata që duhet të angazhoheni që të ndryshoni kahjen politike dhe të mundësoni jetë brenda vendit dhe kjo është thirrja e këtij procesi zgjedhorë me moton ‘Ti Ki Za’”, ka thënë Krasniqi. Në këtë konventë ka folur edhe kryetari i deritanishëm i Rinisë Demokratike Donjet Bislimi, i cili falënderoi të gjithë për besimin në mandatin e tij, derisa u bëri thirrje të rinjve që të mbështesin njëri - tjetrin brenda familjes së PDK-së me motivin kryesorë që kanë kontributin për atdheun./rtk