Petritsch: Plani franko-gjerman hap i rëndësishëm, Kurti s’mund t’i ikë Asociacionit

Petritsch: Plani franko-gjerman hap i rëndësishëm, Kurti s’mund t’i ikë Asociacionit

Aktuale January 29, 2023 - 23:08

Propozimi franko-gjerman është një hap i rëndësishëm para, porse nuk nënkupton marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch.

Diplomati austriak në një intervistë për “Kosovo Online” ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit.

“Plani franko-gjerman është hap i rëndësishëm drejt normalizimit, por nuk nënkupton marrëveshjen përfundimtare. Është një propozim që do të thotë se ka një ide konkrete se si do të dalim nga një situatë kaq e zgjatur. Propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është hap i rëndësishëm i ndërmjetëm në rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Nuk ka njohje zyrtare diplomatike, por sipas modelit të bashkëpunimit gjermano-gjerman, në mënyrë pragmatike duhet të merren hapa të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Në Prishtinë refuzojnë Asociacionin, por nuk e thonë se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nga e cila citojnë vetëm nenin e parë, në pikën e dytë thuhet qartë se një komunitet i tillë mund të ekzistojë. Të dyja palët, me ndihmë të BE-së dhe SHBA-së, duhet të përpiqen të bëhen konkrete, çfarë mund të gjendet në marrëveshje, e çfarë jo, si mund të afrohen. Ka ardhur koha për negociata konkrete. Duhet të respektohen marrëveshjet e dakorduara, kështu që edhe Prishtina duhet ta respektojë atë parim. Kurti mund të thonë se nuk do Asociacionin në mënyrë të caktuar, por nuk mund ta refuzojë themelimin. Parimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i shteteve juridike është se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen edhe nga qeveritë e ardhshme. Pa këtë nuk do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare”, ka deklaruar Petritsch, përcjell Demokracia.com.

Sipas tij, Asociacioni nuk do të kthehet në një Republika Sërpska të re.

“Nuk kam frikë nga kjo, sepse bëhet fjalë për komunat serbe, në ato zona ku mund të menaxhojë më mirë vetë, këtë të drejtë edhe po marrin, që të mund të bashkohen dhe që në kuptimin politik të mund të bëjnë në Prishtinë bashkërisht kërkesat e tyre. Mendoj se duhet të fillojmë të diskutojmë se si do të duket, kush do të përfshihet, si do të jetë e organizuar. Kurti duhet të fillojë t’i përkushtohet seriozisht Asociacionit dhe pas 10 vjetësh ta shkelë gazin në këtë çështje”, ka thënë tutje ai.