Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të ketë stemën dhe flamurin e tij

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të ketë stemën dhe flamurin e tij

Aktuale January 30, 2023 - 13:04

Sot fondacioni “Friedrich Ebert” (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).

Por, çfarë përmban Asociacioni sipas këtij draft-statuti?

Theksohet fillimisht se Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ky draft-statut përmban shtatë kapituj me gjithsej 18 nene, ku shpjegohet se Asociacioni do të ketë simbolet e veta zyrtare që përfshin stemën dhe flamurin, raporton Zeri.info.

Po ashtu, statusi i Asociacionit do të miratohet fillimisht nga një kuvend i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mbi këtë bazë, ky draft përcakton se Kuvendi i Asociacionit do të jetë organi përgjegjës për ndryshimet e statutit.

Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni ka për qëllim që të ruajë dhe respektojë diversitetin kulturor në komunat pjesëmarrëse dhe normat e diversitetit të përfshira në Kushtetutën e sistemin juridik të Kosovës.

Po ashtu kjo bashkësi do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. /Zëri

Për ta parë draft-statutin e plotë klikoni KËTU: