Petkoviqi godet qëndrimet e Cholletit, Escobarit dhe Mogherinit për Asociacionin

Petkoviqi godet qëndrimet e Cholletit, Escobarit dhe Mogherinit për Asociacionin

Aktuale March 29, 2023 - 14:36

Për takimin e 4 prillit në nivel kryenegociatorësh në dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, thotë se në takim shkon për të diskutuar për hapat e zbatimit të Marrëveshjes në Ohër, por “duke respektuar vijat e kuqe të Beogradit”.

Këto “vija të kuqe” ai thotë se mbeten siç kanë qenë të artikuluar: mospranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe se Beogradi “nuk do ta njohë Kosovën as de fakto, as de jure”.

Në lidhje me tri kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Asociacioni mund të jetë i bëshëm sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, garancive të BE-së dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa se Asociacioni s’do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit dhe opinionit të artikuluar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 31 janar, Petkoviqi i ka quajtur “absolutisht të papranueshme”.

“Do të diskutojmë për hapat konkretë të zbatimit të asaj që është pajtuar në Ohër me vijat e qarta të kuqe të Beogradit, që presidenti Aleksandar Vuçiq ka folur vazhdimisht dhe në mënyrë të paekuivokë ia ka paraqitur përfaqësuesve dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtar në dialog, por edhe tërë publikut”, ka thënë Petkoviqi në Radion e Beogradit, përcjell Insajderi.

Ndërkaq “për gjithçka tjetër” në Aneks, Petkoviqi thotë se mund të diskutohet dhe mund të konsiderohen mënyrat e zbatimit të tyre. Por, sipas tij, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “është obligimi i parë”.

Ndërkaq “të parëndësishme” i quan Letrën e Mogherinit drejtuar ish-kryeministrit Isa Mustafa ku garantohej se BE-ja nuk lejon që Asociacioni të jetë nivel i tretë i pushtetit, si dhe një artikull të përbashkët të Derek Chollet/Gabriel Escobar botuar më 31 janar të këtij viti, se çfarë do të jetë e çfarë nuk do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Krejt çfarë mund t’i dëgjojnë duke thënë ata në Prishtinë ditëve të fundit është që t’i shmangen obligimet për themelimin e Asociacionit, se do ta formojnë në përputhje me të ashtuquajturën Gjykatën e tyre Kushtetuese, mbi bazën e një letre të njëanshme të Mogherinit ndaj Isa Mustafës dhe mbi bazën e disa artikujve gazetaresk, që absolutisht janë të parëndësishme”.

“Dihet saktësisht se për çfarë është pajtuar në Bruksel, ka të bëjë me marrëveshjen e parë nga viti 2013”, thotë ai. /express