Djegia e veturave në veri, Abbotti: Duhen hetime të shpejta, këto akte rrezikojnë stabilitetin

Djegia e veturave në veri, Abbotti: Duhen hetime të shpejta, këto akte rrezikojnë stabilitetin

Aktuale March 31, 2023 - 15:44

Edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott u është bashkuar ambasadorëve të tjerë që dënuan djegien e veturave me targa RKS në veri të vendit.

Ai tha se aktet e tilla paraqesin rrezik për stabilitetin në vend dhe se ato duhet dënuar nga politikanët.

“Djegia e veturave pas riregjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme. Të gjithë akterët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, më herët tha se dhuna nuk është opsion.

“Unë kam besim të plotë që autoritetet kosovare do të hetojnë rastet plotësisht dhe do të sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, shkroi diplomati gjerman.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka reaguar ashpër pas djegies së pesë veturave me targa RKS në veri të Republikës së Kosovës.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të riregjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale, është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, shkroi Szunyuogu. /Express