
Peci: Qytetarët serbë të Zveçanit kanë nisur marrjen e shërbimeve komunale
Kërkesat për themelimin e Asociacionin po vijnë krahas kërkesave për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të vendit si modalitet për shtensionim të situatës atje. Megjithatë, situata në veri raportohet e qetë derisa nga kryetarët e zgjedhur atje raportohet se qytetarët kanë nisur marrjen e shërbimeve.
Dy javë pasi u betua se do t'iu shërbejë me nder e besnikëri qytetarëve të Zvecanit, kryetari i zgjedhur i kësaj komune po ushtron detyrën nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë.
Ilir Peci thotë se ditët e fundit në këtë zyrë kanë marrë shërbime edhe qytetarë serbë të Zvecanit.
Megjithatë, Peci thotë se në momentin që krijohen kushtet, ai do ta ushtrojë detyrën në objektin e Komunës.
Përreth këtij objekti edhe sot u mblodhën qytetarë serbë për të protestuar. Në mesin e protestuesve edhe sot ishte nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq. Situata ishte e qetë. Përreth objektit ishin ushtarët së KFOR-it dhe autoblindat e Njësisë Speciale të Policisë se Kosovës.
Situata ishte e qetë edhe në Leposaviq. "Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi gjendet brenda këtij objekti. Ka më shumë se 10 ditë që Hetemi po qëndron i mbyllur brenda objektit të Komunës këtu në Leposaviq".
Telat gjemborë përreth ndërtesës u larguan. Aty mbetën vetëm pengesat e hekurta dhe natyrisht, ushtarët paqeruajtës të KFOR-it.
Rreth orës 15:00 në Zubin Potok u larguan protestuesit. Para largimit ata hoqën edhe tendat në të cilat qëndruan gjithë ditën.
Aty vazhduan të qëndronin pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e përballë tyre edhe dy ushtarë të KFOR-it.
Forca të KFOR-it nuk kishte në Mitrovicë të Veriut. Para derës së objektit qytetarëve u ofrohet qasje me e lehtë në dokumente përmes E-kioskës.
Në hyrjen e objektit me flamur të Republikës, hynin e dilnin qytetarë që po merrnin shërbime në këtë komunë.