S'ka koordinim: A po i humbë Kosova edhe aleatët, edhe sovranitetin në veri?

S'ka koordinim: A po i humbë Kosova edhe aleatët, edhe sovranitetin në veri?

Aktuale June 09, 2023 - 23:52

Deri me tani, ndërhyrja e policisë në veri pa koordinim me ndërkombëtarët nuk i solli asnjë të mirë vendit. Kosova mori një seri vërejtjesh dhe kritikash nga aleatët më të ngushtë, nga Shqipëtia tek ShBA. Forcat e Sigurisë së Kosovës u përjashtuan nga stërvitjet ushtarake “Defener Europe 2023”. Pasi dje ka kaluar afati i ultimatumit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Prishtina është në pritje edhe të fazave të reja të masave ndëshkuese të Washtingtonit. Përveç këtyre, Kosova po rrezikon të humbas edhe më shumë sovranitetin në katër komunat veriore. Çfarë po ndodhë?

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, teksa njoftoi se ka hartuar një draft të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka bërë një paralajmërim të frikshëm.Ai ka paralajmëruar, se Kosova mund të humbas sovranitetin në veri të vendit.

“... mund të sjelli pasoja të pallogaritshme në shumë aspekte. Duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë. Që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, për shembull. Ose gjë që do të thotë, humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, një mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vet institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja që do të ishte një gjë e tmerrshme.” – tha z. Rama, deri sapo njoftonte për propozimin e tij për Asocicionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri shqiptar e theksoi rrezikun për shtetin kosovar nëse pjestarët e KFOR-it do të detyrohen ta marrin kontrollin e plotë në veri.

“Nëse trupat e huaja e marrin nën kontroll veriun, kjo çështje mund të kthehet në tavolinë kush e di pas sa vitesh”.

Zbarkimi

Pa kaluar shumë orë, fjalët e kryeministrit Rama, për rritjen e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë, u konfirmuan nga shefi i Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark.

Wigemark tha se pas zbarkimit së 700 trupave të shtesë në kuadër të Misionit Paqeruajtës të NATO’s në Kosovë, se nuk është për t'u përjashtuar mundësia e dërgimit “edhe të mijëra trupave tjerë” në Kosovë. Është edhe kjo opsion, i tha ai Associated Press, teksa foli për trazirat në pjesën veriore ku edhe rreth 30 pjesëtarë të KFOR’it u plagosen nga protestues të dhunshëm.

“Tashmë vetem se kishte dhunë të llojit më keq. Të gjithë...thonë se jemi me fat se s’patëm viktima”, ka thënë Wigermark, ndërsa ka treguar se sa i përket EULEX’it do të vinte koha ku ata të mos ishin më të nevojshëm në Kosovës, por se “kushtet nuk janë pjekur ende për këtë”.

Duke komentuar ngjarjet në pjesën veriore të vendit, Shefi i EULEX-it, u shpreh se është “jetike” që incidente të këtilla të moskthehen në “në ndonjë konflitk të armatosur”.

“Dialogu i vazhdueshëm mes Beogradit dhe Prishtinës, kjo është vendi për të zgjidhur çështjet e hapura”, tha ai.

Rezoluta 1244

Me kryeministrin e Shqipërisë, u pajtua edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se në pjesën veriore të vendit po kthehet Rezoluta 1244.

Limaj në Debatplus në RTV Dukagjini, tha se humbja e sovranitetit në veri po ndodhë për shkak të politikave që ka zgjedhur të ndjek kryeministri Kurti.

“Çështjen e sigurisë e ka marrë KFOR-i me kompetenca, me çfarë mandati? Me rezolutën 12/44 . A e dini sa puna është bërë që shefi i UNMIK-ut që të mos shfaqej në Prishtinë ditën kur do të shpallej pavarësia. Këta miq tanë sa kanë bërë përpjekje atë ditë, çfarë do të ndodhtë që emisari i UNMIK-ut ta bënte të pavlefshme, a e dini që ka mundur ta bëjë. U zhduk ai, si u zhduk nga shkoi? Sepse partnerët tanë u interesuan të na japin pavarësinë”, tha Limaj./nacionale