
Këshilli i Evropës, pasoja e parë e “sanksioneve” për Kosovën?
A.Limani
Duket se situata në veri dhe moskoordinimi me aleatët i kanë kushtuar Kosovës me pasojën e parë e që është bllokimi i përkohshëm i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Javë më parë Kosova kishte bërë hapa pozitivë drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa më pas u mor vendim për caktimin e dy juristëve që do të bënin vlerësimin e legjislacionit për Kosovën, ndërsa më vonë do të caktohej edhe një raportues/e për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së.
Por tashmë duket se asnjëra nga këto nuk do të ndodhë, pas zhvillimeve të fundit në komunat e veriut të Kosovës, shkruan Zeri.info.
Ka disa ditë që Kosova nuk ka pasur komunikim fare me Këshillin e Evropës, për çka pritej të caktohej agjenda e dy juristëve që do të vizitonin Kosovën.
Sipas burimeve të “Zërit”, me dinamikën që kishte nisur pas votimit pozitiv për aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, vendi ynë pritej të bëhej anëtar në këtë organizatë të rëndësishme për të drejtat e njeriut deri në fund të muajit tetor të këtij viti, por që kjo tashmë nuk pritet të ndodhë, pasi gjithçka është ndaluar pas zhvillimeve të fundit, ku BE-ja dhe SHBA-ja dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, jozyrtarisht, flitet se formimi i Asociacioni të komunave me shumicë serbe, është një nga kushtet kryesore që Kosova duhet t’i përmbushë para se të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Zëri” ka pyetur në Këshillin e Evropës në lidhje me ardhjen e dy juristëve në Kosovës të cilët do të përgatisnin një raport mbi legjislacionin vendor, por KE-ja nuk ka kthyer akoma një përgjigje. /Zëri