Sulmi terrorist në veri, Vuçiqi e anuloi konferencën për shtyp të Petkoviqit, duke i bërtitur: “Çka do të thuash ti, kush të dha leje?”

Sulmi terrorist në veri, Vuçiqi e anuloi konferencën për shtyp të Petkoviqit, duke i bërtitur: “Çka do të thuash ti, kush të dha leje?”

Aktuale September 26, 2023 - 17:54

Ndonëse ishte paralajmëruar se drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq do të mbante konferencë shtypi të dielën në orën 14:00 lidhur me incidentin e armatosur në veri të Kosovës, siç dihet, kjo nuk kishte ndodhur.

Gazeta serbe Nova nga një burim i afërt me partinë e presidentit serb ka mësuar se Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit që të mos flasë dhe se do ta bënte ai vetë këtë.

Sipas pohimeve të bashkëbiseduesit të portalit, Vuçiq i ka bërtitur Petkoviqit duke i thënë se ai nuk mund të flasë për atë temë pa dijeninë e tij, me vërejtjen se Petkoviqi “nuk ka çfarë të thotë”.

Siç mëson portali serb, transmeton Telegrafi, Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit që të mos i drejtohet opinionit, pasi të gjitha informacionet do t’ua përcjell qytetarëve në mbrëmje.

“Vuçiqi ishte i zemëruar me Petkoviqin sepse ai nuk e kishte konsultuar para se të caktonte konferencën për shtyp. Petkoviq e kishte thirr konferencën krye në vete, sepse si drejtor i Zyrës ka qenë logjike që ai t’i drejtohet mediave. Kur Vuçiq pa që Petkoviq do të fliste, ishte goxha nervoz dhe kërkoi të anulohej konferenca”, pohon një burim i Nova pranë partisë së Vuçiqit (SNS).

Sipas bashkëbiseduesit të portalit, Vuçiq i nervozuar e ka pyetur Petkoviqin se “çfarë do të thotë ai kur nuk ka kurrfarë informacionesh”.

“Vuçiqi ka kërkuar qartë që Petkoviq të mos flasë sepse nuk ka çfarë t’u thotë qytetarëve. Situata ishte dramatike, për këtë foli edhe vetë Vuçiqi në konferencë dhe për këtë arsye Petkoviqit iu kërkua të anulojë konferencën. Vuçiq madje u tregua i vrazhdë për një moment dhe i tha Petkoviqit, “çka do t’i thuash opinionit… Kush të dha leje?”, pohon burimi i portalit serb, transmeton telegrafi.

Kujtojmë se pas lajmit se në Kosovë ka pasur të shtëna me armë ku mbeti i vrarë një polic dhe se në afërsi të manastirit të Banjskës po ndodhte një konflikt i armatosur, asnjë nga përfaqësuesit e pushtetit serb nuk iu drejtua qytetarëve. Ndërmjet orës 10:00-11:00 është bërë njoftimi zyrtar se në orën 14:00, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, do të flasë për situatën e shkaktuar.

Mirëpo, shumë shpejt ka ardhur një njoftim i ri në të cilin bëhet e ditur se presidenti i Serbisë do të flasë pasdite, ndërsa në të njëjtën kohë konferenca e Petkoviqit është anuluar. Nuk u shpjegua pse, vetëm u la me dije se presidenti do t’i “zbulojë të gjitha gënjeshtrat e Kurtit”.