Rezoluta e plotë e Kuvendit që dënon sulmin terrorist në veri dhe kërkon hetim ndërkombëtar

Rezoluta e plotë e Kuvendit që dënon sulmin terrorist në veri dhe kërkon hetim ndërkombëtar

Aktuale September 28, 2023 - 15:09

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar rezolutë me të cilën ka dënuar me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Serbia më 24 shtator në veri të vendit.

Përmes rezolutës, Kuvendi gjithashtu kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Kosovës.

Po ashtu rezoluta konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë në lidhje me sulmin terrorist, transmeton Zeri.info.

Rezoluta e plotë:

- Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës;

- Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

- Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

- Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cenuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (EULEX dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizmin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.