Kushtetuesja refuzon kërkesën e PDK-së për seancën e dajakut
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe të dhjetë deputetëve tjerë, që kanë kërkuar vlerësimin e kushtetuetshmërisë në lidhje me caktimin e sancës së Kuvendit të Kosovës të 13 korrikut të vitit 2023, që ndryshe njihet si “seanca e dajakut”.
Në këtë seancë erdhi deri te konfrontimi mes ministrave, deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën”, është thënë në vendimin e Kushtetueses.
Në kërkesën deputetët e PDK-së kishin kërkuar të bëhet vlerësimi i kushtetutetshmrëisë së thirrjes së seancës së 13 korrikut. Kryetari i Kuvendit me një shkresë më 11 korrik drejtuar deputetëve kishte njoftuar për seancën e 13 korrikut dhe kishte bashkëngjitur rendin e ditës.
Parashtruesit e kërkesës pretenduan për shkelje dhe kërkuan të anulohen gjitha vendimte e marra në këtë seancë, përfshirë Ligjin për pagën minimale.
“Në rrethanat e rastit konkret, çështje kontestuese ishte nëse akti i kontestuar i Kuvendit është akt i cili i është nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, siç kërkohet specifikisht në paragrafin 5 të nenit 113 çJuridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Në këtë kontekst, Aktvendimi sqaron që para Gjykatës është kontestuar “Vendimi Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe që i njëjti nuk i është nënshtruar votimit nga deputetët e Kuvendit dhe për pasojë nuk mund të cilësohet si “vendim i miratuar nga Kuvendi” për qëllime të paragrafit 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk mund të i nënshtrohet vlerësimit meritor të Gjykatës. Aktvendimi më tej nënvizon që, një qëndrim i tillë i Gjykatës është konsistent që nga viti 2013, përkatësisht Aktvendimi për Papranueshmëri në rastin KO115/13, me parashtrues Ardian Gjini dhe njëmbëdhjetë (11) deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa gjithashtu sqaron që bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, përderisa emërtimi formal i akteve, përfshirë ato të miratuara nga Kuvendi, nuk është përcaktues për vlerësimin e pranueshmërisë së një kërkese, Gjykata, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës, ka vlerësuar vetëm kushtetutshmërinë e akteve të Kuvendit të cilat i janë nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, ndërsa në rrethanat e rastit konkret ky nuk është rasti”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka sqaruar se vendimmarrja nuk ndërlidhet me dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut, të cilat janë kontestuar ndaras nga deputetët e Kuvendit. Një nga vendimet ishte shkarkimi i Kimete Gashit nga pozita e anëtares së OSHP-së dhe tjetra ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për pagën minimale.
“Aktvendimi i Gjykatës në fund sqaron që, kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023, të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit, sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit (nr. 08 -V-583) për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 158/23”, thuhet nga Kushtetuesja.