Sami Lushtaku iku nga spitali, arrestohet nga EULEX-i

Sami Lushtaku iku nga spitali, arrestohet nga EULEX-i

Aktuale shtator 23, 2015 - 07:59

Sami Lushtaku ka ikur nga Reparti i Kardiologjisë të martën gjatë ditës për t’u kapur më pas nga Policia e EULEX-it, në një zonë ku nuk ka guxuar të shkelë. Burime të gazetës “Zëri” kanë bërë të ditur se Lushtaku kishte shkuar për një kontroll të zemrës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por më pas është zhdukur pa gjurmë nga Reparti i Kardiologjisë. “Policia e ka kërkuar në këtë Repart, por nuk e ka gjetur, më pas Policia e EULEX-it ka arritur që ta arrestojë dhe në orët e vona e ka dërguar në pjesën veriore të Kosovës për të mbajtur seancën gjyqësore ndaj tij”, ka treguar burimi i “Zërit” i afërt me EULEX-in.

Ikjen nga QKUK-ja e kanë mbajtur të fshehtë zyrtarët e Repartit, ku ka qenë Lushtaku.  Ata nuk kanë e kanë konfirmuar, madje e kanë hedhur poshtë të ketë qenë ai gjatë ditës së martë në QKUK.

Zëdhënësi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë se menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka informacione zyrtare rreth kësaj çështjeje.

“Për këto çështje duhet pyetur në Departamentin Shëndetësor të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Fazliu.

Ndërkohë, sipas tij, pacientët që shtrohen në Klinikën e Kardiologjisë dhe që vizitohen në mënyrë ambulantore, të gjithë protokollohen. “Klinika nuk është e karakterit të mbyllur dhe aty mund të futen njerëz gjatë ditës!”, ka thënë Fazliu.

Për më tepër ai ka thënë se të burgosurit nuk i ruajnë mjekët. “Ata ruhen nga organet e rendit dhe ato duhen të pyeten për lëvizjet e tyre!”, ka thënë zëdhënësi Fazliu.

Por, një burim në Klinikën e Kardiologjisë ka thënë jozyrtarisht se në Klinikë janë parë forca të shtuara të Policisë. “Këtu ka qenë Policia dhe ne kemi njoftuar drejtorin që gjendet jashtë Kosove. Por a e ka lajmëruar ai menaxhmentin e lartë të SHSKUK-së nuk jemi në dijeni”, ka thënë burimi brenda Klinikës në kushte anonimiteti dhe pa bërë të ditura arsyet e prezencës së Policisë brenda Klinikës.

Gazeta ka pyetur edhe Basri Lenjanin, drejtor në Qendrën Emergjente të QKUK-së, nëse në këtë Qendër gjatë ditës është kërkuar trajtim mjekësor nga kryetari i arrestuar i Skenderajt, Sami Lushtaku. Mirëpo, Lenjani ka mohuar një gjë të tillë. “Jo ai nuk ka qenë gjatë ditës së sotme”, ka thënë ai të martën pas orës 20:00, i kontaktuar përmes telefonit. Por, avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, e ka konfirmuar për “Zërin” se ai është dërguar në veri, por nuk ka dhënë detaje të mëtutjeshme. “Po Lushtaku është dërguar sonte në orët e vona në veri, por për detaje tash për tash nuk mund të flas”, ka thënë për “Zërin”, Koci.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, shkalla e parë, e ka shpallur verdiktin për të akuzuarit për “Krime lufte” në rajonin e Drenicës gjatë luftës së fundit në Kosovë, në maj të këtij viti. Sami Lushtaku është dënuar me 12 vjet burg për vrasjen e një civili shqiptar. Vepra penale për të cilën është dënuar Sami Lushtaku, sipas aktakuzës së EULEX-it është kryer në shtator të vitit 1998, në një lokacion në mes fshatrave Galice dhe Dubovc të Drenicës.

Ai është dënuar në shkallë të parë, ngase sipas kryetarit të trupit gjykues, Dariusz Sielcki, është vërtetuar se Lushtaku në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së e ka vrarë një civil të burgosur shqiptar të panjohur, duke shtënë tri herë mbi kokë me pistoletë “TT”. Mirëpo, procesi ndaj Lushtakut nuk ka përfunduar tërësisht, meqë është bërë ankesë dhe pritet se si do të jetë vendimi i shkallës së dytë. /Zëri/