AGK-ja i kërkon presidentes qëndrim publik për Ligjin për KPM-në
Foto: Laura Hasani

AGK-ja i kërkon presidentes qëndrim publik për Ligjin për KPM-në

Aktuale July 16, 2024 - 12:21

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) po ndjek me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shqetësimeve të AGK-së i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës.

“AGK-ja kërkon nga presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani-Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm te roli i saj formal i dekretimit të ligjeve. Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gur themeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundet seriozisht, atëherë presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga presidentja pritet të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, thuhet në reagimin e AGK-së.