Zyrapi: Disa ushtarë përdornin maska që të mos identifikoheshin, ka pasur ankesa

Zyrapi: Disa ushtarë përdornin maska që të mos identifikoheshin, ka pasur ankesa

Aktuale July 16, 2024 - 12:46

Dëshmitari Bslim Zyrapi deklaroi se kishte shumë persona që përdornin maska për të mos u identifikuar, për çka kishte edhe ankesa në Shtabin e Përgjithshëm.

Këtë deklarim Zyrapi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara kësaj, me kërkesën e gjyqtarit, dëshmitarit iu prezantua një dokument për të cilin kishte thënë se ai mbante nënshkrimin e Jakup Krasniqit dhe se vula ishte e Shtabit të Përgjithshëm, e që ishte një urdhër për ndalimin e maskave.

Dëshmitari Zyrapi pohoi se kishte ankesa lidhur me këtë, prandaj kishte dalë ky urdhër.

“Kam pas nga zonat operative, kanë ardhë edhe nga zona e Drenicës, zona e Pashtrikut, edhe e Shalës. Në atë kohë i kemi pas këto ankesa sa më kujtohet mua gjatë asaj kohe”, tha dëshmitari, duke shtuar se ankesat janë bërë gojarisht gjatë takimeve.

“Më kujtohet se kanë qenë edhe gjatë vizitave të mia nëpër zona, por edhe gjatë takimit me komandantët”, u shpreh ai.

Dëshmitari tha se këta persona që përdornin maska, merrnin veprime ndaj civilëve, bënin ndalime të personave nëpër zona të tjera, e të tjera.

“Të shumtë ishin ata që përdornin maska për mos me u njoftë -identifikuar, vepronin në territoret e zonave të cilat nuk ishin ushtarë të tyre ose nuk kishin urdhra të tilla për të marrë ose që kanë vepruar me civilët apo me marrjen e mjeteve materiale, apo ndalimin e personave në zonë. Kjo ishte problem se nuk e dinin se kush ishin ata që kanë vendos këto maska dhe po bëjnë këto veprime. Nuk ishin ushtarë të këtyre zonave. Për atë edhe komandantët e zonave janë anku dhe është marrë ky vendim”, tha Zyrapi

Ai thotë se nuk e di saktë sa është ndjekur ky urdhër. Më pas, u pyet se a ka pasur ankesa edhe pas daljes së këtij urdhri nga zëvendëskomandanti i përgjithshëm.

“Sa më kujtohet mua, jo nuk ka pas veprime”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, Zyrapi u pyet se kush e ka pasur kompetencën të zëvendësojë komandantët.

“Komandantin e zonës për ta zëvendësuar e ka pas të drejtën veç komandanti i Përgjithshëm. Normalisht nëse propozohet edhe nga shefi i Shtabit për të ndryshuar komandantin. Por, cilat janë arsyet për zëvendësim? Në qoftë se ai nuk e kryen detyrën e vet, nuk është i aftë të komandojë me njësitë operative, nuk është i aftë t’i udhëheqë ato njësi, atëherë mund të shkohet ndryshimi i komandantit të zonës. Por, në qoftë se ai i ka të gjitha dhe vepron, punon, atëherë nuk ka nevojë të ndryshohet dhe në këtë kontekst nuk jam pajtuar që të ndërrohen komandantët e zonave”, tha ai.

Kurse, theksoi se vendosjen e komandantit e bënte komandanti i Shtabit, propozohej nga shefi i Shtabit por vendimi final i takonte komandantit të përgjithshëm (komandantit të zonës).

“Kurse, të tjerët propozohen nga vetë komandanti i zonës, zëvendëskomandanti nga komandanti i zonës - emërohen nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha Zyrapi.

Ndërsa, gjatë kundërpyetjeve të tij, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë njësi gjatë luftës sidomos më 1998 që kanë përdorur telefona satelitor, por një gjë e tillë u mohua nga Zyrapi.

Pas kësaj, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ka ndryshuar pozicionin e tij dhe nuk synon që të bëjë asnjë kërkesë. Si rrjedhojë, për dëshmitarin me pyetje vazhdoi trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Mbrojtja kërkon mundësinë e kundërpyetjeve ndaj Bislim Zyrapit, pas pyetjeve shtesë të ZPS-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në ditën e dhjetë të dëshmisë së tij, pyetjet shtesë për të po i bën prokurorja Clare Lawson, por që dolën çështje shtesë. Lidhur me këtë, mbrojtja e quajti situatë të pazakontë dhe kërkoi nga trupi gjykues që t’u jepet mundësia e kundërpyetjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“A do të na jepni mundësinë që të bëjmë kundërpyetje në fakt. Se po dalin materiale të reja që unë dua t’i shqyrtoj më tej me dëshmitarin. Kjo është një situatë e pazakontë për ne. Nëse po e prezanton një praktikë të tillë për herë të parë, atëherë për ne është situatë e pazakontë”, tha avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Për pyetjet e prokurores pati kundërshtime edhe mbrojtja e Hashim Thaçit përmes Luka Mishetiq, i cili tha se pyetjet e tilla, Lawsoni do të duhej t’i bënte në fillim dhe jo gjatë atyre shtesë.

“Këto pyetje duhet të bëheshin kur i bëri pyetjet fillimisht dhe jo gjatë pyetjeve plotësuese”, tha Mishetiqi.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i kërkoi mbrojtjes që në një moment tjetër të bëjnë kundërshtimet e tyre.

“Mbarojmë me këtë pjesë dhe pastaj kur të jetë momenti i duhur ju lutem bëjeni të qartë qëndrimin tuaj ose më saktë bëni kundërshtimin tuaj”, tha Charles Smith III.

Megjithatë, Mishetiq kërkoi sërish shpjegim për pyetjet e prokurores Clare Lawson, e cila trajtoi çështje sidomos për telefonat satelitor të përdorur nga anëtarët e UÇK-së.

“Ne e kemi kërkesën se në qoftë se nuk na jepni të bëjmë kundërpyetjen atëherë, Prokuroria ta bëjë të qartë qëndrimin e vet se ku po don të dalë”, tha Mishetiq.

Lidhur me këtë, gjyqtari Fergal Gaynor tha se kjo gjë lejohet sipas një vendimi të trupit gjykues.

“I nderuar zoti Mishetiq, paragrafi 112 i urdhrit tonë e trajton shumë mirë çështjen e pyetjeve plotësuese. Thotë: Trupi gjykues do të lejojë pyetje plotësuese vetëm nëse prezantohen materiale të reja gjatë kundërpyetjeve apo pyetje plotësuese. Kështu që kjo është e lejueshme dhe ju mund t’i përdorni po ashtu materialet”, tha ai.

Pasi përfundoi pyetjet e saj Lawson, trupi gjykues miratoi kërkesën e Emmersonit dhe kështu me kundërpyetje vazhdoi më pas avokati Mishetiq.

Gjatë pyetjeve shtesë, prokurorja Lawson pyeti dëshmitarin se a ka pasur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm jashtë Kosovës që i kanë dhënë atij informata.

“Jashtë Kosovës ka qenë komandanti i përgjithshëm, Azem Syla”, tha dëshmitari, duke mohuar se ka pasur ndonjë person tjetër që e ka bërë një gjë të tillë.

Dëshmitari po ashtu u pyet se a ka pasur kontakte me Kadri Veselin gjatë kohës kur ai nuk ndodhej në Kosovë.

“Pak pasi jam kthy nga perëndimi, kemi fillu bisedimet me Qeverinë Bukoshi, por jo më herët”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se Mensur Kasumi ka qenë pjesë e Drejtorisë Operative, por jo përgjegjës i saj. Ai shtoi se Kasumi e kishte angazhuar që të merrej me G2-shin sa nuk ishte Kadri Veseli.

Ai pohoi se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), ka qenë në formim gjatë kohës së Qeverisë së Përkohshme dhe jo më herët.

Dëshmitari pohoi se telefoni satelitor të cilin e ka parë gjatë luftës është dukur si laptop që në pjesën e poshtme ka pasur ekranin kurse lart antenën.

Ai gjithashtu u pyet edhe për nofka të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm e po ashtu edhe të zonave e brigadave.

Bislim Zyrapi tha se nofkën “Gjarpri” e ka pasur Hashim Thaçi dhe se “Kapush” ishte nofka e Mujë Krasniqit.

“Ka pas dy-tre që kanë çalu po cili saktë nuk e di tash. Sahit Jashari, Sabit Geci, tani në zonën e Nerodimes ka pas njëjtë Qopa po tash s’e di cili prej tyre”, tha Zyrapi kur u pyet se kush e kishte nofkën “Qopa”.

Lawson gjithashtu pyeti dëshmitarin se a ka pasur komandant në zonën e Drenicës që ka pasur emrin Fehmi, e që Zyrapi tha se ka qenë Fehmi Lladrovci. Ai pohoi se është e vërtetë se Lladrovci ishte i gjatë dhe me mjekër.

Pas kësaj, materialet që i prezantoi prokurorja për dëshmitarin gjatë pyetjeve shtesë u pranuan në prova materiale.

Seanca e sotme do të zgjasë deri në pushimin e drekës pasi që pjesa e dytë e seancës nuk do të mbahet ngase është paraparë seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.