
Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, flet Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media tha se sot në mëngjes është informuar rreth arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, nga policia e Maqedonisë së Veriut.
I pari i Qeverisë tha se organet e sigurisë dhe të rendit janë duke i grumbulluar informacionet.
“Ato informata i kam marr edhe unë sot në mëngjes, nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë e të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që t’i përcillni me vëmendje në orët në vazhdim komunikatat e policisë, MPB-së dhe MPJ-së. Ndërkaq Ministria jonë e Drejtësisë është në komunikim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që të mos ketë nënshtrim ndaj agresivitetit të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarreste të tilla për qytetarët tanë”, tha Kurti.
Fillimisht lajmi për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik se është informuar për arrestimin e një shtetasi kosovar nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Fjala është për z. Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Klankosova.tv.
Nga MPJD-ja kanë thënë se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, është angazhuar intensivisht për ta trajtuar këtë rast.
“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, z.Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të z. Ramadani”, thuhet tutje në përgjigje.