PDK-ja dorëzon sot në Kushtetuese ligjet për KPM-në, KPK-në dhe UP-në
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, do të dorëzojë sot në Gjykatën Kushtetuese tri raste të pretenduara të shkeljes kushtetuese nga pushteti aktual i udhëhequr nga Vetëvendosja.
Partia më e madhe opozitare e ka paralajmëruar ditë më parë se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ai për Këshillin Prokurorial dhe statuti i Universitetit të Prishtinës të ndryshuara nga pushteti aktual, përbëjnë shkelje kushtetuese dhe cenojnë pavarësinë institucionale dhe lirinë e medias.
Pas dorëzimit të këtyre tri lëndëve në Gjykatën Kushtetuese, kryetari i Grupit Parlamebtar Abelard Tahiri ka paralajmëruar konferencë për media.
Kujtojmë se deputetët e pushtetit kanë miratuar javë më parë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, pavarësisht kritikave të vazhdueshme për përmbajtjen që kanë pasur shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.
Miratimi i këtyre dy ligjeve u bë pa prezencën e deputetëve opozitarë, të cilët kishin paralajmëruar se ato do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Konferenca do të nisë në orën 15:00.
“Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, sot, nga ora 15:00, mban konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese”. /Zëri