Kurti me kritika ndaj Prokurorisë, pasi e intervistoi ministren Haxhiu për “një status në Facebook”
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka shprehur kritikat e tij ndaj Prokurorisë Speciale për intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ai ka thënë se i njëjti institucion ende s’ka ngritur aktakuzë për rreshterin e rënë të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut në Banjskë të Zveçanit. Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij paramilitar nga sistemi ynë i drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i mjaftuan 10 muaj për të, por nuk iu deshëm më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar se është intervistuar dje ministrja Haxhiu me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin “TV Dukagjini”, në emisionin “Debat Plus” më 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës.
Ndërkaq Haxhiu pas dy orësh intervistim deklaroi se Prokuroria po e pengon punën e saj dhe të Qeverisë.
“Siç e dini, me urdhër të PSRK-së, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen, që nuk e kam thënë për herë të parë, e cila ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj., etj., me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën, por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi, për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi”, tha Haxhiu.