Pse nuk u duk Ambasadori Martin Berishaj dje në Sinj të Kroacisë ku ishte Presidentja Osmani
Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, të cilit thoshte se i beson kur nisi të akuzohej për përfshirjen e tij në një skandal financiar, presidentja Vjosa Osmani s’e pa të dielën kur shkoi atje për një ngjarje. Berishaj nuk mungon asnjëherë kur zyrtar të Kosovës shkojnë në shtetin kroat. Nuk dihet nëse prishja e marrëdhënieve të saj me kryeministrin Albin Kurti, mund të ketë ndikuar që ambasadori s’ishte krah saj apo ndonjë arsye tjetër.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj nuk u pa dje të qëndronte krah Vjosa Osmanit, ndërsa presidentja e Kosovës shkoi atje.
Me ftesë të presidentit kroat Zoran Milanoviq, Osmani mori pjesë në manifestimin tradicional Sinjska Alka, në qytetin e Sinjit.
Në fotografitë e publikuara si nga mediat kroate, por edhe nga Osmani, ambasadori Berishaj s’u pa askund.
Berisha në Facebook, dje shkroi për diçka tjetër. Ai uroi Ditën e Fitores dhe Mirënjohjes Atdhetare dhe Ditën e Veteranëve Kroatë duke përmendur operacionin “Oluja”.
“Me operacionin ushtarako-policor ‘Oluja’ u çliruan më shumë se 11 mijë kilometra katrorë të territorit të pushtuar më parë, ushtria kroate ia arriti të gjitha synimeve dhe mundësoi realizimin e pavarësisë dhe lirisë kroate”, shkroi Berishaj.
Ambasada e Kosovës në Kroaci bëri një shënim për vizitën e Presidentes në Sinj.Presidentja e Kosovës Sh.S. Vjosa Osmani – Sadriu me ftesë të Presidentit kroat z. Zoran Milanovië merr pjesë në Sinjska alka”. shkroi në faqen e saj në facebook Ambasada.
Osmani dje mori pjesë në manifestimin në Sinjska Alka që organizohet për nder të fitores kroato-venedikase kundër osmanëve në luftën e vitit 1715, në të cilën popullsia lokale prej rreth 700 kroatësh në bashkëpunim me një numër më të vogël venedikasish arritën të mbronin Sinjin kundër 60 mijë ushtarëve osmanë të udhëhequr nga Mehmed Pasha I.
Berishaj, emri i të cilit ishte përfshirë në një skandal financiar, ishte marrë në mbrojtje nga Osmani në prill të vitit 2022, kur ai akuzohej.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, deklaronte Osmani kur pyetej se pse s’po e shkarkonin.
Por Martin Berishaj është më i afërt me kryeministrin Albin Kurti. Nuk dihet nëse prishja e marrëdhënieve të presidentes Vjosa Osmani me shefin e Qeverisë, mund të ketë ndikuar në mungesën e ambasadorit krah saj dje ose ndonjë gjë tjetër.
Osmani më s’i fsheh raportet e përkeqësuara me Kurtin, i cili të mërkurën e javës së kaluar nuk i shkoi në një takim, në të cilin ajo i kishte ftuar kryetarët e të gjitha partive parlamentare që të diskutonin për zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Në një konferencë për media më pas, Osmani pranoi se kanë dallime të mëdha me Kurtin.
Osmani të enjten u përfshi në një incident në aeroportin e Shkupit, të cilin Presidenca e quajti “provokim të pastër”.
Kurti sot ishte në kryeqytetin maqedonas, nga ku tha se këtë qëndrim nuk e ka qeveria e tij dhe se po pret raport zyrtar që të kuptojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. /express