Vuçiqi i reagon Lajçakut: Hapjen e urës së Ibrit do ta diskutojmë në një sesion special të OKB-së
Foto: Laura Hasani

Vuçiqi i reagon Lajçakut: Hapjen e urës së Ibrit do ta diskutojmë në një sesion special të OKB-së

Aktuale August 14, 2024 - 23:05
Tha se BE-ja s’është kundër hapjes së urës, Vuçiqi Lajçakut: Veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës paraqesin rrezik të lartë që mund të çojë në një operacion special

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka kundërshtuar zërat se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe çorientuese.

“BE-ja ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar qëndrim janë të pavërteta dhe çorientuese”, ka shkruar Lajçak në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “X”, raporton Zeri.info.

Pas kësaj deklarate të Lajçakut, ka reaguar presidenti i Serbisë, Alkesandar Vuçiqi, i cili duke e quajtur “vëlla” Lajçakun, ka thënë se për hapjen e urës së Ibrit do të diskutohet në një sesion special në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se sipas tij, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës rreth hapjes së urës, paraqesin rrezik të lartë që mund të çojnë në një siç theksoi ai, operacion special.

“Propozoj që të diskutojmë hapjen e urës gjatë një sesioni special të OKB-së. Veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës paraqesin rrezik të lartë që mund të çojë në një operacion special”, ka reaguar Vuçiqi në shkrimin e Lajçakut në rrjetin social “X”, raporton Zeri.info.

Në anën tjetër, vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka ripërsëritur se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak kundër partnerëve të Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale – të hapura.

“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme”.

“Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti.

Theksojmë se edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), gjatë ditës së sotme ka deklaruar se hapja e urës së Ibrit në këto momente do të rriste gjasat për dhunë.

Po ashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se i mbështet plotësisht linjat e kuqe të KFOR-it, për urën mbi lumin Ibër.

Rohde ka thënë se “veprimet e njëanshme të vitit të kaluar që çuan në lëndimin e ushtarëve të KFOR-it dhe të civilëve” s’duhen përsëritur.

Ai ka thënë se duhet marrë parasysh këshillat e ndërkombëtarëve dhe ka shtuar se mirëpret koordinimin që ka përmendur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /Zëri