Kjo është pajisja që u gjet në veturën e gazetarit Kajtazi [video]

Kjo është pajisja që u gjet në veturën e gazetarit Kajtazi [video]

Aktuale October 31, 2024 - 15:34

Një gjurmues GPS është gjetur sot i vendosur në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi.

Një video nga afër e pajisjes tregon se bëhet fjalë për një GPS, që shërben për gjurmimin e veturave ose automjeteve të tjera.

Gjurmuesi ishte vendosur me magnet në pjesën e jashtme të dyshemesë së veturës së gazetarit, në anën e majtë, në afërsi të rrotës, tregojnë pamjet.

Pajisja është një “Lighbug Pro”, gjurmues automjetesh, prodhim britanik, bazuar në të dhënat publike.

Ajo është tërhequr nga njësitet e çminimit të Policisë së Kosovës, pasi gazetari Kajtazi e ka lajmëruar rastin tek organet e rendit.

Rasti është hapur pranë Departamentit të Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, raporton Paparaci.

Gjurmuesi u zbulua sot pas një kontrolli në veturën e drejtorit të Paparacit gjatë një kontrolli në një kompani servisimi të veturave.

“Sot kam sjell veturën në servis për kontroll. Gjatë kontrollit është zbuluar se në veturën time është një pajisje e dyshimtë e vendosur në anën e majtë afër rrotës”, tha sot Kajtazi, raporton Paparaci.

Gazetari, i cili para një jave deklaroi se dyshonte se po përgjohej ilegalisht nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), tha se për rastin e ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë e Shtetit.

“Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i Shtetit”, tha Kajtazi.

Të martën Kajtazi tha se ai dhe tre gazetarë të tjerë, Berat Buzhala, Ilir Mirena dhe Lirim Mehmetaj, ndodhen nën vëzhgim të paligjshëm nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Kajtazi tha se këto veprime të pretenduara të AKI-së dëshmojnë për shndërrimin e agjencisë në “organizatë kriminale të pushtetit”.