Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit, s'ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit, s'ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

Aktuale January 25, 2025 - 08:14

Propozimi që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të emërohet përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nga njohësit e çështjeve integruese është duke u vlerësuar si hap pozitiv, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka vendosur që Sorenseni, të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në këtë post të rëndësishëm.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online e ka vlerësuar pozitivisht ndryshimin e përfaqësuesit të BE-së, duke e cilësuar Sorensenin si një diplomat me përvojë të gjatë dhe njohuri të thella për Ballkanin Perëndimor. 

Megjithatë, ai paralajmëron se pritshmërit ndaj tij duhet të jenë realiste, pasi sipas tij, mungesa e një njohjeje të detyrueshme ligjore nga Serbia dhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën e bën të pamundur arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare. 

“E para është pozitive që po ndërrohet i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është një gjë pozitive. Sorensen ka një provojë shumë të mirë në Ballkanin Perëndimor, ka qenë këshilltar në kohën e UNMIK-ut që ka qenë në administrimin ndërkombëtar, ka qenë përfaqësues i BE-së në Sarajevë, në Shkup, pra e njeh jashtëzakonisht shumë mirë rajonin dhe specifikisht raportet Kosovë-Serbi. Por, kjo e bëri diplomat të mirë, vjen nga një shtet që e njeh Kosovën, por kjo nuk do të thotë që do të bëjë mrekullira, sepse edhe nëse e bënë ai një raport pozitiv sepse marrëveshja ka përfunduar, konkluzionet e marrëveshjes franko-gjermane janë brenda kornizave të dokumenteve të BE-së, që për ta është zyrtarë. Krejt çka i mbetet të dërguarit të ri është që t’i bind palët që ta zbatojnë. Kjo më shumë varet nga 27 vendet e BE-së sesa nga vetë Peter Sorensen, ai krejt çka mund të bëjë është të ketë një qasje pozitive, por aty përfundon gjithçka që ka në dorën e tij si diplomat me përvojë. Mendoj që BE-ja nëse nuk e qartëson rrugën e Kosovës drejt BE-së që i bie pa njohjen nga pesë vendet e BE-së, çdo gjë tjetër do të jetë një farë lloj menaxhimi i diplomacisë me standarde të dyfishta”, ka thënë ai për Ekonomia Online. 

Arifi gjithashtu kritikoi rezultatet e deritanishme të dialogut, duke i quajtur ato “gjysmake” dhe të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemeve afatgjata mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lajçak e ka përfunduar atë që e kanë autorizuar 27 vendet e BE-së që të bëjnë një marrëveshje gjysmake, për fat të keq, pas 11 vitesh negociata ne vije prapë në një marrëveshje gjysmake e cila nuk e zgjidh problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, pa njohje ligjërisht të obligueshëm në vetëm po e bëjmë një status kohë marrëveshje që për të fituar kohë dhe për të ecur tutje, që është problemit sepse më shumë po krijohen trazira pasi që kemi bërë marrëveshje se sa para marrëveshjes”, ka thënë ai. 

Analisti politik, Arbnor Sadiku, për Ekonomia Online thotë se Sorensen do të sjell një frymë të re dhe një mundësi për një angazhim më aktiv në dialog.

“Është e vërtet që së fundi kemi një përfaqësuese që vjen nga Danimarka, ai ka më shumë karriere pulitke në vende e ish-Jugosllavisë, veçanërisht është konsull nderi i Kroacisë në Danimarka dhe e njeh gogja mirë rajonin. Është përfaqësues i Danimarkës në Unionin Evropian, është një diplomat i karrierës synoj që të paktën të jetë pak më aktiv se Lajçak, duke marr parasysh që kemi një ndryshim të lidershipit. Edhe me ndryshimet e fundit që janë bërë në SHBA më ardhjen e presidentit Trump konsideroj që do të kalojnë më tepër në veprime konkrete ku do të kërkohet nga palët që janë në dialog. Këtë rast Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet dhe të mos merren me gjera që e pengojnë realizmin e këtyre marrëveshje dhe i dërgojnë këto dy vende prapa dhe jo drejt integrimit në Unionin Evropian”, ka thënë ai. 

Sadiku theksoi se një nga pengesat kryesore gjatë mandatit të Lajçakut ka qenë paragjykimi ndaj tij nga ana e Kosovës, për shkak të faktit që vjen nga Sllovakia, një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. 

Sadiku gjithashtu kritikoi mungesën e rezultateve konkrete gjatë mandatit të Lajçakut. 

“Konsideroj që ai është munduar ndonëse që të bëjë një punë. Ka qenë problem i tij së pari se ka qenë i paragjykuar nga Kosova për shkak se ka ardhur nga një shtet si Sllovakia që nuk e ka njohur Kosovën e pastaj edhe shefi i tij Borell ka ardhur nga një shtet si Spanja që nuk ka njohur Kosovën dhe kjo ja ka ulur besimin veçanërisht në Kosovë. Ndërsa në Serbi ka pasur një besim më të madh. Shtoja kësaj edhe një lloj jo potence të Unionit Evropian në gjetjen e një modusi që e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit ka bërë që për një mend mos të ketë as një rol e veçanërisht vitin e fundit të mandatit të tij ku më shumë ka mbajtur takime në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa për ti ecur paga sa që ka pasur ndonjë rezultate konkret”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij, pasi të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.