
Kryeshefi i “Pastrimit” kërkesë Ramës: Lirojini kontejnerët nga depoja
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka apeluar publikisht te kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, për lirimin dhe shpërndarjen e kontejnerëve të rinj që sipas tij janë blerë, por ende janë depozituar në Butovc, duke penguar procesin e menaxhimit të mbeturinave në qytet.
Reçica ka theksuar se Prishtina ka një mungesë të theksuar të kontejnerëve për mbeturina.
Ai u shpreh se kontejnerët e blerë vazhdojnë të mbeten të depozituar në malet e Gërmisë, konkretisht në Butovc, duke vështirësuar punën e KRM “Pastrimi” dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në pastërtinë e lagjeve.
“Qyteti ka nevojë urgjente për më shumë kontejnerë për mbeturina, ndërkohë që ata që janë blerë vazhdojnë të mbeten të padorëzuar”, tha ai.
Reçica apeloi drejtpërdrejt te Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, duke kërkuar që të lirohen kontejnerët dhe të shpërndahen sa më shpejt në qytet. “Kryetar Rama, është koha për veprim! Lirojini kontejnerët!” apeloi ai.
Ai gjithashtu theksoi se një veprim i tillë do të lehtësonte punën e KRM “Pastrimi” dhe do të kontribuonte në pastrimin e qytetit. “Lehtësoni punën e KRM Pastrimi! Jepini Prishtinës një mundësi për të qenë më e pastër!”
Reçica u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë iniciativë dhe të shpërndajnë mesazhin për vendosjen e kontejnerëve aty ku duhen.