Në QKUK pritet të fillojë të bëhet skriningu neonatal metabolik
Foto: Laura Hasani

Në QKUK pritet të fillojë të bëhet skriningu neonatal metabolik

Aktuale February 18, 2025 - 10:46

Për herë të parë në Kosovë, gjegjësisht në Klinikën e Neonatologjisë, do të fillojë të bëhet skriningu neonatal metabolik, për foshnjat e porsalindura në QKUK. Kështu kanë bërë të ditur për Radio Kosovën drejtues nga Klinika e Neonatologjisë. Skriningu neonatal ka për qëllim identifikimin sa më të hershëm të sëmundjeve te foshnjat e porsalindura.

Në Klinikën e Neonatologjisë, në qendrën kryesore spitalore të vendit shumë shpejt pritet të fillojë skriningu neonatal metabolik, për foshnjat e porsalindura. Kjo analizë shërben për identifikimin e hershëm të sëmundjeve të rënda metabolike dhe gjenetike te të porsalindurit.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, shpreson se ky projekt që është në fazën finale të testimit, do të shënojë një kthesë të rëndësishme në avancimin e identifikimit të hershëm të problemeve te foshnjat.

“Është siguruar hapësira, janë sjellë pajisjet moderne për këtë testim, është caktuar dhe trajnuar stafi, laborantet, biokimistët dhe infermierët nga Klinika e Neonatologjisë”, thotë Morina për Radio Kosovën.

Sipas Morinës, skriningu do kryhet brenda 24 deri në 48 orëve pas lindjes dhe mundëson diagnostikimin e sëmundjeve që mund të mos shfaqin simptoma menjëherë, por që, nëse nuk zbulohen në kohë, mund të kenë pasoja serioze për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.

“Ne do t’i testojmë të gjitha foshnjat e porsalindura dhe do të shohim nëse këta fëmije do të kenë ndonjë çrregullim gjenetik që mund të vuajnë prej njërës nga këto sëmundje siç janë: hipotiroidizmi kongjenital, fenilketonuria, fibroza cistike, galaktozemia dhe atrofia muskulore spinale”, ka thënë Morina.

Radio Kosova ka biseduar me disa nëna foshnjat e të cilave kishin probleme të ngjashme dhe ato i kanë shpjeguar Radio Kosovës se kanë pasur vështirësi në diagnostikim.

Zyrtarët e Qendrës Klinike dhe Universitare të vendit thonë se skriningu do të eliminojë shumë probleme të hershme të foshnjave.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka thënë se me skriningun vendi po tejkalon një nga problemet serioze që kishte në diagnostikimin e shumë sëmundjeve te të porsalindurit.