Vazhdon seanca pa praninë e Thaçit, fillon dëshminë dëshmitari i 122-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Vazhdon seanca pa praninë e Thaçit, fillon dëshminë dëshmitari i 122-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale February 18, 2025 - 10:50

Pa praninë e Hashim Thaçit, është duke vazhduar seanca gjyqësore në Hagë me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 122-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04491 në këtë proces.

“Thaçi dhe doktori e kanë nënshkruar lejen për të vijuar me procesin gjyqësor”, njoftoi Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati shtoi se nuk e pati mundësinë që të flasë me Thaçin, por që iu kumtua kjo leje e Thaçit dhe doktorit.

Ndryshe, dëshmitari i 122-të është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për të i ka filluar prokurori James Pace.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë.

Ai shtoi se Prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë e gjysmë për pyetje. Ndërsa, ekipet mbrojtëse kanë pashtruar se të gjitha së bashku kanë kërkuar katër orë e gjysmë për kundërpyetje.

Smith gjithashtu theksoi se sapo të përfundojë dëshminë ky dëshmitar, do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes lidhur me disa aspekte që kanë dalë, duke përfshirë edhe nxjerrjen e materialeve për palët.

Ndryshe, në prova materiale u pranuan deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët së bashku me materialet përcjellëse.