“Do të përballet me ligjin”, Sveçla flet për rastin e arrestimit të ndihmësit të Petkoviqit
Foto: Laura Hasani

“Do të përballet me ligjin”, Sveçla flet për rastin e arrestimit të ndihmësit të Petkoviqit

Aktuale July 19, 2025 - 12:18

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka komentuar rastin Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe është arrestuar në Pikën Kufitare Bërnjak nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sveçla deklaroi se Popoviqi do të përballet me drejtësinë.

:Do të përballet me drejtësinë, ka bërë një vepër penale, të qëllimshme dhe të papranueshme për ligjin, rendin dhe kushtetueshmërinë të vendit. Do të përballet me ligjin”, tha Sveçla.

Siç është bërë e ditur në një njoftim të policisë, Igor Popoviq që shërben si ndihmësdrejtor në zyrën që udhëhiqet nga Petar Petkoviqi gjatë një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoqë e Madhe të Rahovecit ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste dhe ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Gjatë procedurave hetimore, si prova materiale janë sekuestruar përkohësisht dy telefona celularë të të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.