
Rama thotë se Apeli e ka anuluar vendimin e Themelores për “Xhorxh Bushin”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e komunës për sheshin “Xhorxh Bush”.
Rama thotë se, Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.
“Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin. E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE”, ka shkruar Rama në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Mes tjerash, ai shtoi se: ” Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në përputhje të plotë me ligjin”.
“Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës: Reduktimi i ndotjes së ajrit nga PM10 dhe NO2 nuk është çështje komoditeti – është çështje shëndeti publik. Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është çështje estetike – është çështje sigurie dhe barazie sociale. Zhvillimi i një hapësire publike për këmbësor në vend të një korridori trafiku nuk është eksperiment – është standardi i domosdoshëm i qyteteve që duan të ecin përpara”, theksoi ai.
Rama ka deklaruar se do të vazhdojnë me me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik.
“Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojnë se koha e BLLOKADAVE të jashtëligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon”.