
Ardhja e bashkatdhetarëve, Juniku me lehtësira komunale, festivale e aktivitete të shumta
Për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, Komuna e Junikut do të ofrojë lehtësira komunale, festivale, parking pa pagesë e shumë aktivitete të tjera deri në fund të muajit gusht.
Kjo është bërë e ditur nga vet i pari i Junikut, Ruzhdi Shehu.
“Mërgimtarët janë të mirëpritur të takohen me Kryetarin për të diskutuar idetë, nevojat, projektet e mundshme për investime dhe bashkëpunim në Junik. Të dashur bashkatdhetarë, Kontributi juaj për Junikun është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm. Ju jeni gjysma e Junikut – jo vetëm në numër, por edhe në dashuri, përkushtim dhe ndikim. Ardhja juaj në vendlindje sjell jetë, zhvillim dhe emocion për të gjithë ne. Ky program mikpritjeje është vetëm një shenjë e vogël mirënjohjeje për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për Junikun”, ka shkruar Shehu ndër të tjerash në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Shehu i ka bërë publike të gjitha aktivitetet që do të mbahen në Junik përgjatë kësaj periudhe.
Postimi i plotë i Shehut, pa ndërhyrje:
Të dashur mërgimtarë – mirësevini në Junikun tuaj!
Me kënaqësi dhe mirënjohje të thellë, ju urojmë mirëseardhje në shtëpitë tuaja në Junik – aty ku gjithmonë sillni gjallëri dhe frymë pozitive në qytetin tonë.
Sot, më 19 korrik 2025 (e shtunë), dhe nesër, më 20 korrik 2025 (e diel), do të mbahet festivali "Kah Drita", në kuadër të projektit të mbështetur nga BE-ja me titull "Mirëdita Junik". Të gjithë mërgimtarët dhe qytetarët e tjerë junikas janë të ftuar të kalojnë dy ditë të këndshme së bashku. Më shumë rreth festivalit mund të gjeni në linkun: https://www.facebook.com/share/p/17ENZnZVsK/?mibextid=wwXIfr
Ndërsa më 30 korrik 2025, Komuna e Junikut do të organizojë edhe një koncert të veçantë, kushtuar posaçërisht mërgatës sonë – një falënderim simbolik për dashurinë dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për Junikun.
Kryetari i Komunës dhe institucionet komunale janë të përkushtuara që edhe këtë vit ta bëjnë sa më të lehtë dhe të këndshme qëndrimin tuaj në vendlindje.
Këto janë disa nga vendimet dhe lehtësimet në favor të mërgatës junikase:
Parking pa pagesë deri më 31 gusht 2025, në këto hapësira:
Parkingjet publike të komunës
Hapësira pranë stacionit të autobusëve (që nuk pengojnë qarkullimin)
Autolarja “Besi”
Tregu i gjelbër (përveç ditëve të premte)
Parkingjet pranë bibliotekës komunale
Shërbime komunale të shpejta dhe të lehtësuara për mërgimtarët:
Zyra komunale do të punojë edhe gjatë kohës së pauzës dhe, sipas nevojës, edhe pas orarit zyrtar për të ofruar shërbime civile, kadastrale dhe administrative të tjera.
Takime të hapura me Kryetarin e Komunës çdo ditë pune:
Mërgimtarët janë të mirëpritur të takohen me Kryetarin për të diskutuar idetë, nevojat, projektet e mundshme për investime dhe bashkëpunim në Junik.
Të dashur bashkatdhetarë,
Kontributi juaj për Junikun është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm. Ju jeni gjysma e Junikut – jo vetëm në numër, por edhe në dashuri, përkushtim dhe ndikim. Ardhja juaj në vendlindje sjell jetë, zhvillim dhe emocion për të gjithë ne.
Ky program mikpritjeje është vetëm një shenjë e vogël mirënjohjeje për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për Junikun.
Ju mirëpresim me zemër të hapur dhe jemi gjithmonë në shërbimin tuaj!