Serbia kërkon lirimin e Popoviqit

Serbia kërkon lirimin e Popoviqit

Aktuale July 19, 2025 - 16:00

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se ka njoftuar Brukselin për ndalimin e zëvendësdrejtorit të kësaj zyreje Igor Popoviq, nga autoritetet e Kosovës një ditë më parë, duke kërkuar “lirimin e menjëhershëm” të tij.

Policia e Kosovës ka njoftuar se Popoviq është dërguar në mbajtje prej 48-orësh dhe i njëjti dyshohet për veprën “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas Policisë së Kosovës, Popoviq gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë [në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq] e ka njoftuar menjëherë Brukselin për ndalimin e bashkëpunëtorit të tij dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe mbrojtjen nga misionet që veprojnë në territorin e Kosovës”, u tha në reagimin e ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Sipas kësaj zyreje, Popoviq kishte marrë pjesë në përvjetorin e vrasjes së serbëve në zonë e Rahovecit nga UÇK-ja, që e cilësoi si organizatë “kriminale”.

“Popoviq është ndaluar për shkak të deklaratës së tij pas përkujtimit, vetëm sepse i ka quajtur me emrin e vërtetë ata që vranë 47 serbë dhe romë dhe që kanë rrëmbyer mbi njëqind njerëz të pafajshëm gjatë korrikut të vitit 1998”, pretendoi kjo zyrë, duke shtuar se me këto veprime Kurti po synon të shkaktojë një krizë të re në terren.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar një ditë më parë se Kosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.