
Kuvendi dhe konflikti i interesit paralizojnë Autoritetin e Konkurrencës
Prej 9 muajsh Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka bllokuar vendimmarrjen në rastet e shkeljeve të kompanive të ndryshme që presin me vite, për shkak të mungesës së kuorumit dhe konfliktit të interesit në Komisionin Drejtues, si dhe vonesave që po sjell moskonsituimi i Kuvendit.
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Bunjaku, thotë se problemet e përsëritura ku anëtarët e Komisionit Drejtues gjenden në konflikt interesi kanë paralizuar marrjen e vendimeve.
“Në këtë rast është nënkryetarja, Kaltrina Sela për të cilin ka dy vendime të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe rastet janë në prokurori”, deklaron ajo për Radio Kosovën.
Aktualisht Autoriteti i Konkurrencës, ka në detyrë 3 nga 5 anëtarë të komisionit drejtues dhe do të kishte kuorum sikur njëri nga anëtarët të mos ndodhej në konflikt interesi.
Bunjaku thotë se vitin e kaluar vazhdimisht i kishte kërkuar Kuvendit të veprojë konform mandatit për agjencitë e pavarura, por nuk kishte marrë ndonjë përgjigje.
Kuvendi nuk i ishte përgjigjur as kërkesës së kreut të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, për veprime në këtë rast.
“I kemi kërkuar kreut të Kuvendit, Glauk Konjufcës, që ky rast të shqyrtohet”, thotë Buleshkaj për Radio Kosovën.“Kuvendi kur e sheh se në mënyrë të vazhdueshme një zyrtar është në konflikt interesi duhet ta largojë, sepse shkeljet janë jo vetëm kur merr pjesë por edhe kur tërhiqet”, thekson ai.
Vendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit i sugjeron Autoritetit të Konkurrencës se anëtari i komisionit duhet të tërhiqet nga pozitat.
“Edhe tërheqja e vazhdueshme e dërgon dikah vendimmarrjen ngase vendimi mund të shtyhet p.sh për 3 ditë dhe për këtë kohë dikush mund ta kryej një çështje”, thotë Buleshkaj.
”Ligji e parasheh që nëse personi vazhdimisht bie në konflikt interesi ai duhet të largohet sepse nuk është për atë pozitë”, shton ai.
Kaltrina Sela, zëvendëskryetare e Autoritetit të Konkurrencës për rastin e së cilës Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se pozicioni i saj përbën konflikt interesi, në vendimet për disa operatorë kabllorë si dhe rastet kur ajo ka bërë kallëzim penal në prokuror, nuk është përgjigjur në kërkesën e RTK-së për koment.
Përgjigje të qartë nuk ka dhënë as ProkuroriaThemelore në Prishtinë, ku po trajtohen tri kallëzime të ndryshme penale, për konflikt interesi dhe çështje tjera të vendimmarrjes në Autoritetin e Konkurrencës.
Moskonstituimi i Kuvendit për një kohë të gjatë ka thelluar problemet në këtë agjenci dhe Bunjaku thotë se vonesat e moskosntituimin të Kuvendit po thellojnë problemet.
“Në këtë situatë ne nuk mund të marrim asnjë vendim. Me keqardhje them se dëmet janë të pariparueshme”, thotë ajo.
Ndërkohë mungesa e kuorumit në komisionin drejtues ka bërë që shumë shkelje në fushë ne telefonisë mobile, kabllorëve dhe raste të tjera të mbesin pezull për më shumë se një vit.