
Takimi Kurti–Limaj, mbetet e paqartë se çfarë u diskutua dhe nëse pati marrëveshje
Takimi i shumëpritur mes kryeministrit në detyrë njëherit edhe kryetar i LVV-së, Albin Kurti dhe kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është mbajtur pasditen e sotme (e shtunë) në lagjen Pejton, në afërsi të selisë së NISMA-s.
Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.
Ndërkaq në media po raportohen versione të ndryshme rreth temave që janë diskutuar mes Kurtit edhe Limajt.
Njëri nga versionet është që Kurti dhe Limaj kanë diskutuar për mundësinë që NISMA të udhëheq me dy ministri, atë të Infrastrukturës dhe të Arsimit.
Version i tjetër është që të dy subjektet kanë vazhduar të qëndrojnë në pozicionet që kanë pasur dhe se bisedimet mes tyre do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të arritur deri tek një marrëveshje.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë zyrtarë të LVV-së dhe NISMA-për të marrë detaje nga takimi, por të njëjtit nuk kanë janë përgjigjur.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon më 26 korrik
Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.
Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.