
IKD: Çdo vendim i “ministrave – deputetë” mund të shfuqizohet në gjykatë
Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se ushtrimi i njëkohshëm i pozitave të ministrit dhe deputetit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme që bëri të qartë se nuk mund te jesh edhe ministër , edhe deputet.
Sipas Melos Kolshit, nga kjo organizatë, çdo vendim i marrë nga 27 marsi e tutje nga ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë, mund të shfuqizohet në gjykatë, njësoj si rasti i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave.
“Nuk mundet një individ të ushtrojë edhe pozitën e deputetit, edhe ministrit në detyrë, apo kryeministrit në detyrë, për arsye që këto bien ndesh njëra me tjetrën. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, duke thënë dhe duke ruajtur parimin e ndarjes së pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti individ”, deklaroi ai për EkonomiaOnline.
Kolshi shprehu shqetësim për komentet publike të zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Një vendim i tillë i Gjykatës Supreme patjetër që duhet të mirëpritet dhe duhet të respektohet. Një gjë që është shqetësuese janë deklaratat nga qeveria në detyrë. Fakti që aktorët institucionalë dhe të qeverisë në detyrë po e flasin dhe po e komentojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme bie ndesh me parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Kjo nuk do të duhej të ndodhte nga aktorët institucionalë për arsye së kjo është ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë dhe është ndërhyrje në punën e gjykatës”, theksoi ai.
Ai tha se nga institucionet, në këtë rast nga Qeveria në detyrë, pritet vetëm ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
“Në të njëjtën logjikë, sipas IKD-së, nga 27 mars e tutje secili vendim që është marrë nga ministrat në detyrë e që po ashtu e ushtrojnë pozitën e deputetit, mundet që t’i presë fati i njëjtë duke u atakuar në gjykatë dhe duke u shfuqizuar njëjtë siç ka ndodhur me udhëzimin administrativ të lëshuar nga Ministria e Financave”, tha Kolshi.