
Murati:Në 2017-tën LDK-ja nuk pritej në qeveri, prandaj ministrat liruan zyrat
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratës së ishëkryeministrit Isa Mustafa, i cili ka thënë se në vitin 2017 kishte shkarkuar ministrat që u bënë deputetë. Sipas Muratit, detyrat në qeveri u liruan sepse në vitin 2017 s’pritej që LDK të ishte në qeveri.
“Qeveria Mustafa ishte shkarkuar me mocion mos-besimi me datë 10 maj 2017. Mocioni ishte mbështetur edhe nga partneri i atëhershëm i koalicionit, PDK-ja. Të gjendur përballë kësaj situate e të tradhtuar nga partneri i koalicionit, në LDK asokohe ishte diskutuar nëse të gjithë ministrat e LDK-së duhej të tërhiqeshin nga postet qeveritare, menjëherë pas mocionit. Në një situatë të ngjashme, kur LDK kishte dalë nga Qeveria në vitin 2010 pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu, partia ishte akuzuar se kishte braktisur institucionet. Duke e marrë parasysh reagimin e publikut në situatën e vitit 2010, LDK kësaj radhe kishte vendosur që ministrat të qëndrojnë nëpër pozita deri në përfundim të zgjedhjeve – që të mos akuzoheshin për braktisje të institucioneve”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.
Më tej, Murati ka sqaruar se pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, LDK u rendit e treta dhe “as nuk pritej që LDK do të ishte edhe në qeverinë e ardhshme”, prandaj ministrat liruan zyrat. “Jo për shkak të nenit 72 të Kushtetutës”, por për shkak të rezultatit zgjedhor.
"Kjo ka qenë arsyeja pse ministrat e LDK-së kishin liruar zyret, sepse ishin të shkarkuar nga Kuvendi, dhe nuk pritej që do të vazhdonin në qeverinë e ardhshme. Jo për shkak të nenit 72 të Kushtetutës", ka përfunduar ai.