Infektuar: 1057
Shëruar: 841
Vdekur: 30

Apeli e lë të lirë Sabit Gecin

Aktuale October 27, 2015 - 05:36

Me një vendim të lëshuar nga Gjykata e Apelit, i dënuari për krime lufte, Sabit Geci, për tre muajt e ardhshëm do të jetë tërësisht i lirë. Ai nuk është ndaluar të dalë as jashtë Kosovës e madje as të ketë paraqitje publike para medieve.

Gjykata vendimin e ka marrë të premten e javës së kaluar, pas ankesës së mbrojtjes, e cila i kishte paraprirë caktimi i masës së arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Kjo e fundit i kishte caktuar arrest shtëpiak disa ditë pasi Geci me vendim të zëvendësministrit të Drejtësisë, Lirak Qelaj, më 3 tetor ishte liruar nga burgu me arsyetimin se i duhet trajtim mjekësor.

Ndaj këtij vendimi kishte reaguar prokurori i misionit EULEX, Darius Silicki, i cili në ankesën e tij kishte potencuar se Sabit Geci ka qenë i akuzuar në rastin “Drenica” dhe për këtë rast “ende nuk ka vendosur shkalla e dytë”.

Ankesa e Prokurorisë kishte bërë që pavarësisht vendimit të zëvendësministrit Gecit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, masë e cila është shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës së Apelit, përkatësisht nga një panel i gjyqtarëve i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një vendor.

Mbrojtja e Sabit Gecit, avokati Haxhi Millaku, ka bërë me dije se klienti i tij është liruar ngase i nevojitet trajtim mjekësor jashtë vendit dhe sipas Millakut, klienti i tij tashmë i ka kryer disa analiza në një spital në Shqipëri dhe është në pritje të rezultatit të tyre. Varësisht nga rezultatet, sipas tij, Sabit Geci do të udhëtojë ose drejt Shqipërisë, ose drejt Turqisë.

“Pas ankesës së bërë, të premten Gjykata e Apelit ka vendosur dhe e ka hequr masën ndaj klientit tim. Klienti im tashmë është i lirë”, ka thënë avokati Millaku, sipas të cilit, vendimi për pezullimin e vendimit do të vlejë për tre muaj.

Menjëherë pas të premtes Sabit Geci e ka dhënë një intervistë në njërin nga televizionet lokale, ku në detaje ka folur në lidhje me shokët e tij të luftës.
I kontaktuar nga gazeta, zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Qelaj, ka thënë se në lidhje me kushtet që duhet të qëndrojë Sabit Geci është Gjykata e cila vendos, ndërsa ka shtuar se ai vetë e ka nënshkruar një vendim, i cili ka të bëjë me çështjet shëndetësore të të dënuarit Geci. “Vendimi është marrë pas konstatimit të mjekëve dhe ka të bëjë me shërimin e tij. Se a i lejohet atij të ketë paraqitje publike apo jo, është Gjykata e cila vendos”, ka thënë Qelaj.

Por, avokati Haxhi Millaku ka thënë se me vendimin e saj Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë të gjitha kufizimet ndaj Sabit Gecit. Ky i fundit është i dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Ai është dënuar ngase është gjetur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile.