“Operacionet estetike të hundës në Kosovë kryhen në nivel të lartë, ka një numër të pacientëve që janë shtetas të huaj”
Specialisti i ORL-së, Zgjim Limani, ka folur për ndërhyrjet estetike në hundë, duke sqaruar se ato mund të kenë efekte të ndryshme në frymëmarrje, në varësi të llojit të operimit dhe arsyeve për të cilat kryhen.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Limani tha se nuk ka efekte negative si pasojë e operimit.
“Efektet tjera shëndetësore negative nuk ka, kurse çdo lloj intervenimi në hundë, sikur ata që bëhen për probleme shëndetësore si ata që bëhen për arsye estetike, mund të kenë ndërlidhje me frymëmarrje, varet nga ajo se çfarë duhet bërë në një hundë dhe çfarë është bërë”, tha ai.
Limani sqaroi se kirurgjia e hundës bazohet në procedura të standardizuara dhe se kirurgët janë të kufizuar në përdorimin e teknikave të caktuara.
“Procedurat kirurgjike janë të standardizuara edhe ne si kirurg nuk kemi të drejtë të përdorim atë se çfarë duam ne, ne duhet të përdorim disa teknika që janë të standardizuara. Ato teknika janë të projektuara në atë mënyrë që të kenë efekte anësore sa më të vogla sa i përket frymëmarrjes, por edhe përkundër kësaj, një numër i konsiderueshëm kanë efekt negativ në frymëmarrje”, theksoi ai.
Sa i përket periudhës së shërimit pas ndërhyrjeve estetike, Limani tha se rikuperimi i plotë mund të zgjasë deri në një vit.
“Te operimet estetike rikuperimi i plotë konsiderohet të përfundohet pas një viti, pjesa më e madhe diku 80% e rezultatit presim të arrihet pas një muaji”, nënvizoi ai.
Në lidhje me shqisën e nuhatjes, ai theksoi se ajo nuk ndikohet nga ndërhyrjet estetike në hundë.
“Jo, ndjesia e aromës nuk ndërlidhet me operimin estetik të hundës. Bazat nervore që e detektojnë aromën janë të vendosura në një zonë të hundës ku ne nuk punojmë”, tha Limani.
Sipas tij, një përqindje e vogël e pacientëve ka nevojë për ndërhyrje të dytë, ndërsa kënaqësia e tyre varet shumë nga pritshmëritë paraprake.
“Konsiderohet rreth 3% e rasteve kanë nevojë për ndonjë riintervenim, ndërsa të kënaqësia e pacientit është shumë me rëndësi pritshmëria. Duhet t’i bëhet e qartë pacientit se çfarë mund të arrihet sepse ekzistojnë limitet e caktuara se çka mund të arrihet me ndërhyrje estetike”, shtoi ai.
Limani theksoi se kërkesa për operime estetike në Kosovë është stabile dhe se ka interesim edhe nga pacientë të huaj.
“Konsideroj që është standard, ka shumë vite që merrem me këtë punë dhe konsideroj që kërkesa është standard, ka një numër të pacientëve që vijnë jashtë Kosovës, jo vetëm shqiptarët por edhe shtetas të huaj”, tha ai.
Duke folur për ndikimin e problemeve të tjera në frymëmarrje, Limani tha se kirurgjia nuk është gjithmonë zgjidhje efektive.
“Varet se ku ka qenë problemi, paraprakisht duhet t’i identifikojmë se ku është problemi, nëse është problemi vetëm te devijimi atëherë mund të përmirësohet kjo, por nëse kanë rinite kronike dhe rinite alergjike atëherë kirurgjia shumë pak ndihmon në atë aspekt. Poenta e frymëmarrjes, nuk është që hunda duhet të jetë e drejtë, hunda duhet të jetë në drejtimin e fytyrës, gjegjësisht bartësja e vrimave të hundës nuk duhet të jetë e drejtë, por duhet të jetë në drejtim të orientimit të fytyrës, që të dy vrimat të jenë njësoj të kalueshme. Kështu kjo që shohim devijimet e jashtme të hundës, ato nuk paraqesin pengesa në frymëmarrje, vrimat e hundës janë në brendi dhe ato devijime pacientët nuk mund t’i shohin vet por vetëm me ekzaminim”, shpjegoi ai.
Sipas tij, pas çdo operimi mund të ketë pengesa të përkohshme në frymëmarrje për shkak të ënjtjes, ndërsa sprejët duhet të përdoren me kujdes.
“Pengesat menjëherë pas operimit me frymëmarrje janë te të gjithë pacientët sepse kemi ënjtje, dhe ngushtohen vrimat e hundës. Ato brenda një periudhe kohore mbahen me terapi të caktuara, kurse pjesën tjetër vihet deri te adaptimi dhe ç’ajtje e hundës ku edhe përmirësohet frymëmarrja. Përdorimi i sprejëve në mënyrë të pakontrolluar nuk është metodë e cila e ndihmon frymëmarrjes, ka shumë lloje të sprejeve, ka prej atyre që përdoren menjëherë pas operimit, ka sprej që përdoren për rinite kronike dhe alergjike, do të thotë është një gamë e gjerë që mundet me shkaktu pengesën në frymëmarrje”, theksoi Limani.
Ai vlerësoi se operacionet estetike të hundës në Kosovë realizohen me standard të lartë profesional.
“Mendoj se operacionet estetike në Kosovë të hundës kryhen në nivel të lartë dhe jemi shumë përpara regjioneve”, shtoi Limani.