Dokumentari i OSBE-së thekson rëndësinë e zbardhjes së krimeve ndaj gazetarëve në Kosovë

Dokumentari i OSBE-së thekson rëndësinë e zbardhjes së krimeve ndaj gazetarëve në Kosovë

Aktuale November 02, 2025 - 12:33

Për ta shënuar Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dokumentarin “Përtej titujve (Beyond the Headlines),” i cili nxjerr në pah kërcënimet në rritje kundër profesionistëve të medias dhe nevojën urgjente për mbrojtje më të fortë institucionale.

I prodhuar në bashkëpunim me gazetarë vendorë, dokumentari shqyrton rastet në rritje të ngacmimeve online, fushatave të njollosjes dhe sulmeve fizike. Që nga janari 2025 janë raportuar 56 incidente kundër gazetarëve, duke tejkaluar tashmë totalin e vitit të kaluar. Gazetaret gra mbeten veçanërisht të cenueshme ndaj kërcënimeve dhe ngacmimeve me bazë gjinore.

Përveç dokumentarit, Misioni ka organizuar edhe një debat me të njëjtën temë, që do të transmetohet sonte në TV Dukagjini në orën 19:00. Panelistë të ftuar - gazetarë të shquar e prokurorë - do të diskutojnë sfidat me të cilat përballen gazetarët gjatë punës së tyre si dhe përgjigjen institucionale të sistemit të drejtësisë.

“Rritja e sulmeve dhe e ngacmimeve online, veçanërisht kundër gazetareve gra, është thellësisht shqetësuese dhe e papranueshme,” tha Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. "Nevojiten përpjekje më të mëdha e të vazhdueshme për t’u siguruar që gazetarët të mund të punojnë në mënyrë të sigurt e të pavarur."

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, vuri në pah se katër vitet e fundit kanë qenë më të vështirat për gazetarinë në Kosovë, duke përmendur sulmet e intensifikuara dhe dënimet e buta që i trimërojnë autorët e krimeve.

“Situata për gazetarët në Kosovë po përkeqësohet, me një kulturë shqetësuese të pandëshkueshmërisë”, tha Jan Braathu, përfaqësues i OSBE-së për lirinë e medias. “Autoritetet duhet ta njohin rolin thelbësor që luajnë gazetarët në demokraci dhe të veprojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë e tyre.”

Misioni e merr me shumë seriozitet çështjen e sigurisë së gazetarëve. Për vite me radhë, OSBE ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët e vet – Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – për ta kthyer këtë përkushtim në veprime konkret. Përveç ofrimit të ndihmës juridike për gazetarët që përballen me padi për shpifje ose ngacmime online, Misioni ka dhuruar jelekë dhe xhaketa mbrojtëse me mbishkrimin PRESS, për t’i ndihmuar gazetarët të identifikohen lehtësisht gjatë protestave dhe situatave të krizës.

Misioni ka organizuar edhe trajnime të përbashkëta për raportimin në situata krize për gazetarët dhe Policinë e Kosovës, dhe ka përgatitur Udhëzues për raportim nga gjykatat, për t’i ndihmuar si gazetarët ashtu edhe pjesëtarët e gjyqësorit të kuptojnë më mirë rolet, të drejtat dhe përgjegjësitë e njëri-tjetrit.