Rama: Nanon po e nderojnë edhe ata që e quajtën tradhtar se e takoi Millosheviqin

Rama: Nanon po e nderojnë edhe ata që e quajtën tradhtar se e takoi Millosheviqin

Aktuale November 02, 2025 - 13:17

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka kujtuar ish-kryeministrin Fatos Nano dhe rolin e tij përgjatë viteve ’90 dhe 2000.

Rama përmendi se si për Nanon, tani që vdiq, po shkruajnë edhe kundërshtarë të tij që në raste të caktuara i dhanë edhe epitetin e tradhtarit.

“Ndër ata që e nderuan kryetarin tonë me fjalë të mëdha pas vdekjes, ishin edhe ata që e ngritën dhe e ulën tradhtar, pse e takoi Sllobodan Millosheviqin gjatë një aktiviteti ndërkombëtar dhe për plot të tjera që nuk ia vlen t’i kujtojmë”, tha ai.

Duke u ndalur te ky takim, Rama tha se kur një ditë “të dalin si duhet në dritë fjalët e thëna në atë takim, askush “nuk do të mund ta vë në dyshim kontributin e tij patriotik”.

“Unë e kam dëgjuar prej tij bisedën me Kasapin e Beogradit dhe nuk e kam idenë nëse Fatosi e ka lënë të shkruar diku, por jo vetëm që në atë takim, në atë bisedë nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet në dritë fjalët e thëna në atë takim, si dhe takimet, bisedat dhe bashkëpunimet e Fatos Nanos me patriotët e lëvizjes kombëtare për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni, atëherë askush dot, askush nuk do të mund të vë në dyshim se kontributi patriotik i kryetarit themelues të partisë sonë për çlirimin e Kosovës dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e rendit Fatos Nanon në rreshtat e nderit të historisë së Shqipërisë”, tha Rama.